Ballina Kronika Rikthehen gomonet me emigrantë klandestinë në Vlorë, shpëtohen 11 persona në det

Rikthehen gomonet me emigrantë klandestinë në Vlorë, shpëtohen 11 persona në det

60
0

Një tjetër rast i emigracionit të paligjshëm me gomone është regjistruar në brigjet e Vlorës.

Rreth orëve të para të mëngjesit të sotëm, Policia Kufitare mori njoftim për një mjet të vogël lundrues me 11 persona në bord, që ndodhej në vështirësi rreth tetë milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë.

Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare u nisën drejt zonës me dy mjete lundruese tip gomone dhe bënë të mundur lokalizimin e mjetit, duke shpëtuar të gjithë personat që ndodheshin në bord.

Sipas informacioneve paraprake, emigrantët janë shtetas të pesë vendeve të ndryshme të Afrikës dhe Azisë: 5 nga Bangladeshi, 3 nga Pakistani, 1 nga Afganistani, 1 nga Haiti dhe 1 nga Liberia.

Të gjithë janë transportuar në tokë dhe aktualisht ndodhen në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku po kryhen procedurat përkatëse.

Ende nuk është konfirmuar destinacioni i tyre apo nëse po tentonin të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Italisë. Kjo pritet të sqarohet pas marrjes në pyetje të tyre dhe vijimit të hetimeve nga autoritetet kompetente.