Ballina Politika Merita apo qoka? Misteri i pensionistëve të pazëvendësueshëm të Kuvendit të Shqipërisë

Merita apo qoka? Misteri i pensionistëve të pazëvendësueshëm të Kuvendit të Shqipërisë

79
0

Qeveria Rama dikur shpalli se administrata duhej të rinovohej dhe se mbajtja në punë e pensionistëve ishte kthyer në një sistem qokash. Rregullat u ndryshuan, përjashtimet u hoqën dhe mesazhi ishte i qartë: kush del në pension, i hap rrugë brezit tjetër. Vetëm se, si shumë rregulla në Shqipëri, edhe ky paska një shënim të vogël poshtë: “Nuk vlen për Kuvendin.” Aty pensioni nuk është fundi i karrierës, por, me sa duket, vetëm një detaj administrativ.

Qeveria Rama, në muajt e parë të mandatit të parë, u kujdes të shfuqizonte disa dispozita që u krijonin hapësira drejtuesve të institucioneve për të mbajtur në punë punonjës që kishin mbushur moshën e pensionit. Arsyeja ishte e qartë: t’i jepej fund praktikës së përjashtimeve, e cila shpesh ishte kthyer në një sistem qokash dhe favorizimesh.

Në vend të tyre u vendos një rregull i përgjithshëm: kush mbush moshën e pensionit largohet, duke i hapur rrugë brezit pasardhës.

Ky rregull sot zbatohet pothuajse kudo, me një përjashtim domethënës: Kuvendin e Shqipërisë.

Institucioni që duhet të jetë simbol i përfaqësimit, modernizimit dhe promovimit të elitave të reja, duket se vazhdon të funksionojë me një logjikë krejt tjetër. Nga rreth 250 punonjës që ka administrata e Kuvendit, afro 20 janë persona që kanë mbushur moshën e pensionit dhe vazhdojnë të mbahen në detyrë.

Mes tyre janë:

Alma Kondakci
Arjana Mero
Burbuqe Rrapaj
Liri Rama
Mereme Matraku
Mimoza Arbi
Pesare Karaxho
Stefan Lika etj.
Natyrshëm lind pyetja: çfarë i bën këta njerëz kaq të pazëvendësueshëm?

Nuk bëhet fjalë për figura publike me kontribute të jashtëzakonshme, akademikë të njohur apo ekspertë të një niveli të tillë që mungesa e tyre do të krijonte boshllëk institucional. Janë emra që për publikun nuk identifikohen me ndonjë arritje të veçantë profesionale që do të justifikonte përjashtimin nga rregulli i përgjithshëm.

Pa vënë në diskutim përkushtimin apo vitet që kanë shërbyer në administratën e Kuvendit, mbetet e paqartë se cili është ai kontribut unik që nuk mund të ofrohet nga dhjetëra profesionistë të tjerë.

Sepse Kuvendi nuk ka vetëm këta punonjës. Përveç tyre, janë edhe rreth 230 të tjerë që kanë ndërtuar karrierën në institucion dhe që, teorikisht, duhet të kenë mundësinë të promovohen kur krijohen vende vakante.

Pse asnjëri prej tyre nuk konsiderohet i aftë të marrë përgjegjësi më të mëdha?

Pse vendet që duhet të lirohen nga pensionimet nuk shndërrohen në mundësi për zhvillimin e karrierës së brezit të ri brenda administratës ose për të afruar profesionistë të rinj?

Në një institucion si Kuvendi, problemi nuk është vetëm zbatimi formal i ligjit. Është edhe mesazhi që jepet. Kur administrata vazhdon të mbështetet te përjashtimet dhe jo te rinovimi, krijohet përshtypja e një mentaliteti të vjetëruar, ku qoka zë vendin e meritës.

Pasioni i Niko Peleshit për të pensionuarit duket se reflektohet edhe në rrethin e këshilltarëve të tij, ku ka të paktën dy persona të punësuar pasi kanë dalë në pension.

Qeveria Rama dikur i shfuqizoi rregullat e qeverisë Berisha me argumentin se ato krijonin terren për favorizime dhe qoka.

Po qokat e Nikos pse nuk i sheh askush?

Kuvendi duhet të jetë institucioni që promovon energjinë e re, meritokracinë dhe formimin e elitës së ardhshme administrative e politike. Nëse edhe aty vendet mbahen të zëna përtej moshës së pensionit pa një arsye të jashtëzakonshme, atëherë nuk po ndërtohet e ardhmja, por po zgjatet artificialisht e shkuara.

Nëse dikur Rama thoshte se “vende ka, por s’ka profesionistë”, sot në Kuvend duket sikur problemi është tjetër: nuk mungojnë profesionistët, por mungon vullneti për t’u dhënë atyre mundësinë të ecin përpara./vna