Këshilli i Qytetit të Parisit votoi sot për dyfishimin e taksës mbi apartamentet dhe shtëpitë bosh, një masë që do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2027, me synimin për të nxitur pronarët t’i rikthejnë ato në tregun e qirasë ose të shitjes.
Sipas bashkisë, Parisi ka rreth 150 mijë banesa bosh, që përbëjnë 9% të stokut total të banesave në kryeqytet. Autoritetet e konsiderojnë këtë një nga shkaqet kryesore të mungesës së banesave dhe rritjes së çmimeve.
Ligji francez për buxhetin e vitit 2026 u jep bashkive të drejtën të rrisin normat e taksës për banesat bosh. Nga viti 2027, taksa do të rritet nga 17% në 30% të qirasë së vlerësuar vjetore për vitin e parë që banesa mbetet bosh dhe nga 34% në 60% për vitin e dytë.
Nënkryetari i Bashkisë së Parisit për strehimin, Jacques Baudrier, e cilësoi vendimin si një “fitore historike pas 10 vitesh përpjekjesh”. Sipas tij, rreth 80 mijë banesa kanë mbetur bosh për një periudhë të gjatë dhe i nënshtrohen kësaj takse. Bashkia shpreson që masa të rikthejë rreth 20 mijë prej tyre në treg.
Autoritetet besojnë gjithashtu se rritja e taksës do të pengojë pronarët që deklarojnë në mënyrë të rreme banesat e dyta si të pabanuara për të përfituar nga detyrime më të ulëta fiskale.
Megjithatë, opozita e djathtë e ka kundërshtuar vendimin. Gregory Canal, bashkëkryetar i partisë “Paris Liberté”, argumentoi se dyfishimi i taksës nuk do të japë rezultatet e pritura, duke e cilësuar masën si “një shfarosje tatimore” dhe jo një nxitje për pronarët që t’i nxjerrin banesat në treg.







