Nga Lutfi Dervishi
Kanuni i Lekë Dukagjinit thotë se ka punë për të cilat nuk thuhet kurrë “puna e mbarë”. Njëra prej tyre, e njohur prej shekujsh, është hapja e varreve.
Pikërisht kjo traditë më erdhi në mendje kur dikush më pyeti sot pse i kam quajtur patronazhistët “qenie të pështira”. Për mua, në fakt, ekzistojnë vetëm dy kategori njerëzish që nuk e meritojnë urimin: ai që hap varre dhe patronazhisti.
Dikush mund të thotë se krahasimi është i padrejtë. Varrmihësi kryen një punë të nevojshme, ndërsa patronazhisti thjesht bën fushatë, si gjithkush tjetër në politikë. Por dallimi është i madh: varri hapet për atë që s’mund ta shmangësh,- vdekjen; patronazhistin të hap derën e poshtërimit. I pari kryen një rit të dhimbshëm mbi të vdekurit. I dyti kryen një proces degradues mbi të gjallët, duke i trajtuar sikur të ishin tashmë numra, jo njerëz.
Patronazhisti fut hundët në jetën private të njerëzve, mbledh të dhënat e tyre personale, ua studion hallet, frikërat, varësitë, dhe pastaj i shndërron të gjitha në monedhë shkëmbimi për një votë. U kërkon punonjësve të administratës lista me familjarë e të afërm, duke ua matur besnikërinë politike me numra e jo me dinjitet.
Ka profesione të rënda e të rëndomta që i shërbejnë shoqërisë dhe meritojnë respekt maksimal. Varrmihësi e ka fituar këtë respekt. Varrmihësi është njeri. Patronazhisti, është qenie e pështirë!







