Protesta qytetare kundër qeverisë vijon edhe këtë të diel, duke shënuar ditën e 50-të radhazi. Qytetarët pritet të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë. Ndërkohë në tubimi e djeshëm janë parë edhe disa emra të njohur të artit dhe televizionit.
Mes pjesëmarrësve ishin aktorët e humorit Albano Bogdo dhe Irgen Çela, të cilët këtë herë u bashkuan me protestuesit, duke lënë mënjanë rolet e tyre artistike dhe duke marrë pjesë në marshim.
Në protestë mori pjesë edhe këngëtari Klajdi Musabelliu, i cili më herët ka shprehur publikisht pakënaqësitë e tij ndaj institucioneve dhe situatës sociale. Ai u pa duke ecur së bashku me qytetarët përgjatë itinerarit të protestës.
E pranishme ishte edhe këngëtarja Eranda Libohova, e cila rrallëherë është angazhuar publikisht në çështje politike. Ajo u shfaq mes protestuesve duke mbajtur një pankartë me mesazh satirik, që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve.
Në tubim u pa gjithashtu analistja Balina Bodinaku, e cila iu bashkua protestuesve dhe thirrjeve të tyre gjatë marshimit. Mes pjesëmarrësve ishte edhe Nikol, e njohur për publikun nga një reality show, e cila u bashkua me protestën së bashku me të rinj të tjerë.
Prania e personazheve të njohur në protestën para Kryeministrisë ka tërhequr vëmendje, ndërsa tubimet kundër qeverisë po vijojnë prej shtatë javësh me radhë.







