Ballina Ekonomia Individët janë klientët më cilësorë të sektorit bankar, kreditë me probleme ranë...

Individët janë klientët më cilësorë të sektorit bankar, kreditë me probleme ranë në 2.6%

99
0

Segmenti i individëve ruajti nivelin më të ulët të kredive edhe vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 raporti i kredive me probleme në portofolin e klientëve individë ishte në nivelin 2.6%, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 2.9% i një viti më parë.

Klientët biznes vazhdojnë të kenë nivele më të larta të kredive me probleme, por gjatë vitit të kaluar përmirësimi në këtë segmenti ishte më i lartë. Raporti i kredive me probleme për bizneset zbriti në 4.7%, nga 5.2% që kishte qenë një vit më parë.

Segmenti i individëve ka pasur historikisht një raport të kredive me probleme më të ulët krahasuar me bizneset, sepse ekspozimet janë më të vogla dhe rreziku i kredisë është më i shpërndarë. Gjithashtu, duke qenë se pjesa më e madhe e portofolit konsiston në kredi për blerjen e banesave, angazhimi i huamarrësve ndaj shlyerjes së detyrimeve në përgjithësi është i madh.

Pavarësisht rritjes së shpejtë të kreditimit në segmentin për individë në vitet e fundit, cilësia e portofolit të kredisë vazhdon të përmirësohet. Megjithatë, Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me rritjen e shpejtë të huadhënies, sidomos në segmentin e pasurive të paluajtshme.

Duke filluar nga mesi i vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë nisi të aplikojë kufizime për standardet e kredidhënies së re për blerjen e banesave, duke u përpjekur të frenojë rritjen e huasë në segmentin e individëve. Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë është vendosur 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj kufiri i lejuar është 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë është në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan është 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Deri në fund të vitit të kaluar efektet e këtyre masave ishin të dobëta, por në pjesën e parë të këtij viti kredia për blerje banesash nga individët është ngadalësuar.

Për sa i përket ndarjes së kredive me probleme sipas monedhës, raporte më të ulëta vazhdojnë të regjistrohen te kredia në valutë të huaj.

Treguesi i kredive me probleme në valutë vitin e kaluar pësoi një rënie me 0.6 pikë përqindje, duke arritur në nivelin 2.8%. Gjithashtu, edhe treguesi i kredive në Lek pësoi një rënie, por më të lehtë, me 0.2 pikë përqindje, duke arritur në nivelin 4.6% në fund të vitit 2025.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar raporti i përgjithshëm i kredive me probleme zbriti në 3.8%, nga 4.17% që kishte qenë një vit më parë. Kjo ishte hera e parë në afërsisht 18 vjet që raporti i kredive me probleme bie poshtë nivelit të 4%. Raporti i kredive ka arritur nivelin më të ulët që prej janarit të vitit 2008./Monitor