Tre shtetas të Kosovës, të cilët rezultonin të zhdukur që prej mbrëmjes së së shtunës, janë gjetur të pajetë në Maqedoninë e Veriut, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u zbulua i fundosur në lumin Lepenc.
Viktimat janë identifikuar si Ejup Ternava, Cennet Ternava dhe Fatmire Shabani, të tre banorë të Vushtrrisë. Ata ishin nisur nga Aeroporti i Shkupit drejt Kosovës, por familjarët humbën çdo kontakt me ta menjëherë pas largimit nga aeroporti.
Pas denoncimit të zhdukjes, autoritetet maqedonase nisën një operacion kërkimi, ndërsa familjarët apeluan edhe për ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tyre.
Gjatë operacionit, automjeti me të cilin udhëtonin, një Mercedes GLC me targa gjermane, u gjet i fundosur në lumin Lepenc.
Sipas mediave maqedonase, pas nxjerrjes së automjetit nga lumi, autoritetet konfirmuan se brenda tij ndodheshin trupat e pajetë të tre personave.
Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta. Autoritetet kompetente në Maqedoninë e Veriut kanë nisur hetimet për të përcaktuar se si automjeti përfundoi në lumë dhe për të zbardhur plotësisht ngjarjen.







