Stuhia që përfshiu Kosovën të martën pasdite ka lënë të lënduar disa persona dhe ka shkaktuar dëme të theksuara materiale në disa qytete.
Në Pozharan të Komunës së Vitisë, dy persona morën lëndime të lehta trupore nga rrëzimi i dyerve hyrëse të oborrit të tyre. Një person po ashtu në Pozharan ka vdekur pasi aksidentalisht është rrëzuar në ballkonin e shtëpisë së tij, që ishte lagur nga stuhia.
Si pasojë e erërave të forta dhe breshërit, në Viti janë dëmtuar çatitë e shtëpive dhe objekteve shkollore, derisa ka pasur edhe drunj të rrëzuar.
Kryetari i Komunës, Sokol Haliti, ka njoftuar se ka nisur procesi i vlerësimit të dëmeve dhe ka kërkuar mbështetje nga niveli qendror për familjet e prekura.
Situatë më e rënduar nga moti i ligë ka mbizotëruar në komunën e Suharekës. Pamjet e publikuara nga qytetarët tregojnë për erëra të fuqishme që kanë rrëzuar çatitë e objekteve biznesore e shkollore.
Përpos zonës së qytetit të Suharekës, dëmet më të mëdha janë shkaktuar në disa fshatra, ku sipas kryetarit të komunës, Bali Muharremaj, ka nisur vlerësimi i tyre. Erëra dhe breshër ka pasur pasditen e së martës edhe në komunën e Pejës, ku u shkaktuan edhe bllokime të rrugëve.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar mot të ngjashëm edhe për të mërkurën. Sipas këtij institucioni, të mërkurën nga stuhitë me bubullima do të preket i gjithë territori i Kosovës, ku në disa rajone priten edhe reshje intensive shiu, breshër e erëra të forta, prandaj është lëshuar niveli portokalli i rrezikut.
Institucionet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes gjatë aktiviteteve në ambientet e jashtme. Ministria e Infrastrukturës, ndërkohë, ka bërë thirrje ngasësve të automjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin udhëtimet e panevojshme gjatë stuhive dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike.







