Një prej qytetarëve që mori fjalën në ditën e 55-të të protestës kundër qeverisë i drejtoi një mesazh ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, duke e akuzuar se Policia e Shtetit duhet të përqendrohet te lufta kundër kriminalitetit dhe jo te përplasjet me protestuesit.
Gjatë fjalës së tij, ai kërkoi nga ministri që të angazhojë strukturat e policisë për zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale, duke përmendur vrasjen e Eglant Koçit, çështjen e Jan Prengës, si dhe arrestimin e personave që, sipas tij, duhet të përballen me drejtësinë.
Qytetari theksoi se protestuesit nuk kanë dalë në shesh për të kërkuar mëshirë apo favore, por për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tyre.
“Nuk kemi dalë këtu të lypim liri dhe mëshirë. Liria fitohet vetëm në këmbë,” u shpreh ai.
Më tej, ai deklaroi se protesta nuk është kundër Shqipërisë, por në mbrojtje të saj, duke kërkuar një shtet ku, sipas tij, të respektohen ligji, drejtësia dhe dinjiteti i qytetarëve.
Në fund të fjalës së tij, protestuesi u shpreh se asnjë pushtet nuk është i përhershëm dhe se, sipas tij, zëri i qytetarëve nuk mund të ndalet nga presioni apo dhuna. Ai shtoi se protesta synon të zgjojë ndërgjegjen qytetare dhe të sjellë ndryshim politik në vend.







