Për dy ditë me radhë, në korridoret e politikës u fol pothuajse vetëm për një gjë. Pasi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, thirri një seancë të jashtëzakonshme dhe deputetëve të Partisë Socialiste iu kërkua të mos largoheshin nga Tirana, pothuajse të gjithë nxorën të njëjtin përfundim: po vijnë ndryshime në qeveri.
Nuk ishte një interpretim i rastësishëm. Vetëm një ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar, Edi Rama kishte folur me tone të forta për ministrat dhe drejtuesit politikë, duke u kërkuar më shumë përgjegjësi, por edhe më shumë empati në raport me qytetarët dhe mënyrën se si administrata i trajton ata.
Por, mesa duket, alarmi ishte i rremë.
Seanca e së hënës nuk ka lidhje me një riformatim të kabinetit qeveritar. Në rendin e ditës pritet të jetë një marrëveshje sigurie mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara me një vlerë prej rreth 600 milionë dollarësh.
Për shkak të nivelit të klasifikimit të dokumentit, materialet e plota do të mund t’i konsultojnë vetëm deputetët që disponojnë certifikatë sigurie. Marrëveshja lidhet me sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë dhe, me shumë gjasë, me investime që Shqipëria do të realizojë në kuadër të angazhimeve të saj në NATO, në një moment kur Aleanca ka planifikuar samitin e ardhshëm në Tiranë.
Ironia është se vetëm një ditë më parë Edi Rama u kërkonte ministrave dhe drejtuesve politikë më shumë empati në mënyrën si komunikojnë me qytetarët dhe si i trajtojnë shqetësimet e tyre.
Ndoshta pak empati do të bënte mirë edhe në komunikimin mes institucioneve.
Sepse kur kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, thërret papritur një seancë të jashtëzakonshme, u kërkon deputetëve të mos largohen nga Tirana dhe nuk jep asnjë shpjegim, është normale që politika të mendojë se po vjen një riformatim qeverie.
Në fund rezultoi se bëhej fjalë për një marrëveshje sigurie me SHBA.
Deri atëherë, ndoshta jo pak ministra kanë kaluar një natë me ankth. E, duke parë humorin me të cilin Edi Rama u paraqit në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, ndoshta nuk ka qenë plotësisht i qetë as vetë Niko Peleshi, të cilit i ra për pjesë t’u japë të gjithëve një lajm pa asnjë sqarim./vna







