Ish-ministri socialist Arben Malaj ka konfirmuar se do të kandidojë si kandidat i pavarur për kryetar të Bashkisë së Vlorës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Përmes një postimi në Facebook, Malaj tha se vendimi vjen pas kërkesave dhe mbështetjes së marrë nga qytetarë, miq dhe dashamirës në Vlorë.
“Po! Unë do të kandidoj në 2027 si i pavarur për kryetar i Bashkisë Vlorë. Kjo është përgjigjja për çdo mbështetës dhe dashamirës, por edhe për çdo qytetar që më pyesin gjithnjë e më shumë”, shkroi ai.
Malaj theksoi se kandidimi i pavarur do t’i garantojë liri në vendimmarrje dhe pavarësi nga strukturat partiake. Sipas tij, një nga avantazhet kryesore është se nuk do të ketë detyrime ndaj “klaneve politike” apo interesave të ngushta, ndërsa vendimet do të merren vetëm në funksion të interesit të qytetarëve të Vlorës.
Ish-ministri premtoi gjithashtu një administratë të bazuar në meritokraci, fundin e favorizimeve politike dhe transparencë në vendimmarrje, duke shtuar se punonjësit e bashkisë nuk do të jenë objekt i presioneve politike.
Në platformën e tij, Malaj shprehet se synon të krijojë një lëvizje qytetare që do të bashkojë intelektualë, aktivistë, bizneset e vogla dhe shoqërinë civile, duke e cilësuar kandidimin si një alternativë ndaj politikës tradicionale.
“Aseti ynë më i madh është kapitali moral dhe liria. Nëse arrijmë ta kthejmë këtë liri në një lëvizje bashkuese qytetare për Vlorën, mund të thyejmë apatinë elektorale dhe ta bëjmë Vlorën qytetin e barazisë së mundësive për çdo banor të saj”, përfundon Malaj në reagimin e tij.







