I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, u takua të premten në Prishtinë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në një vizitë të paparalajmëruar. Mes temave të shtjelluara ishte edhe çështja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr serbë, të cilët po kërkojnë kthimin në punë.
Në një njoftim për media, zyra e Kurtit tha se ai u pyet nga Sorensen për kthimin e dhjetëra gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në punë, të cilët kishin dhënë dorëheqje më 2022. BE-ja ka kërkuar që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr serbë të zgjidhet në kuadër të dialogut mes dy vendeve fqinje, por Kosova dëshiron t’i lirojë ata nga detyra dhe t’i plotësojë vendet e tyre përmes konkurseve të reja për gjyqtarë dhe prokurorë serbë.
Kurti e përsëriti se është i hapur për përfshirjen e serbëve në gjyqësor dhe prokurori, por jo për rikthimin e tyre automatik në punë, duke ngulur këmbë se çdo vendim të bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, informon REL. “Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik. Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”, i tha Kurti Sorensenit, sipas zyrës së tij.
Sorensen nuk është deklaruar deri më tani për këtë vizitë të papritur. I dërguari i bllokut evropian erdhi në Prishtinë në ditën kur si Kurti, ashtu edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e shtynë Këshillin Gjyqësor (KGJK) të vendit të bëjë kërkesë për lirimin nga detyra të gjyqtarëve të dorëhequr serbë, pavarësisht thirrjeve nga BE-ja për të mos i bërë trysni institucionit të pavarur të gjyqësorit.
Kurti tha më herët të premten gjatë një mbledhjeje të kabinetit të tij se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës më 2022 ishte “akt i organizuar politik” dhe se kthimi i tyre në punë tani do të binte ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Po të njëjtën ditë, Haxhiu i bëri thirrje KGJK-së “të mos bjere pre e ndikimeve të askujt, qoftë vendore apo ndërkombëtare”, dhe t’i dërgojë asaj kërkesën për lirimin nga detyra të gjyqtarëve të dorëhequr serbë.







