Sipas informacioneve nga vendngjarja, zjarri u raportua fillimisht si i menaxhueshëm, por brenda pak minutash flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë, duke e bërë shumë të vështirë ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse.
Në terren ndodhen forcat e policisë dhe efektivët zjarrfikës, të cilët po punojnë për izolimin e vatrave, ndërsa rruga pranë zonës është bllokuar pjesërisht dhe qarkullimi i automjeteve kryhet vetëm në një korsi.
Dëshmitë nga vendngjarja flasin për një situatë alarmante, me dhjetëra e qindra pisha të përfshira nga flakët në atë që konsiderohet “mushkëria e qytetit” të Vlorës. Për shkak të drejtimit të erës, zjarri po avancon drejt lindjes, duke rrezikuar edhe banesat pranë zonës.
Gjithashtu janë ngritur dyshime se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Një tjetër pistë lidhet me djegien e mbeturinave dhe inerteve që hidhen prej kohësh në këtë zonë, ndërsa materiali i thatë dhe halat e pishave kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve.
Efektivët e zjarrfikëses po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të terrenit dhe erës së fortë, ndërsa në disa pjesë të pyllit zjarri është përhapur në disa vatra njëkohësisht.







