Ballina Aktualitet KLSH dhe Pirro Vengu (II): 9 milionë euro për Porto Romanon, 17,500...

KLSH dhe Pirro Vengu (II): 9 milionë euro për Porto Romanon, 17,500 m² pa kontratë dhe rekomandimi për shkarkim

125
0

Nëse pjesa e parë e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ngrinte pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të Portit të Durrësit gjatë drejtimit të Pirro Vengut, pjesa e dytë hyn në raste konkrete ku audituesit evidentojnë pagesa milionëshe, mungesë penalitetesh, kontrata të pazbatuara dhe dëme financiare për institucionin.

Një prej tyre lidhet me projektin e Portit të ri në Porto Romano.

Më 24 dhjetor 2021 u nënshkrua kontrata nr. 4314 për hartimin e projektit të detajuar teknik të Portit të Porto Romanos, një projekt që në atë kohë u prezantua si një nga investimet strategjike më të rëndësishme.

Sipas raportit të KLSH-së, dokumentet e tenderit përcaktonin qartë se, nëse një prej pikave të kërkuara nuk plotësohej, kontraktuesi nuk përfitonte pagesë paraprake. Pikërisht kjo pikë rezultonte e paplotësuar.

Megjithatë, vetëm gjashtë ditë pas nënshkrimit të kontratës, më 30 dhjetor 2021, u likuidua një pagesë paraprake prej 1,857,471.63 euro, ose 20% e vlerës së kontratës.

Audituesit evidentojnë gjithashtu se deri më 31 dhjetor 2023 ishin paguar në total 9,129,886 euro, ndërsa për vonesat në dorëzimin e projektit nuk ishte aplikuar asnjë penalitet.

Sipas kushteve kontraktore, penalitetet duhej të arrinin në 789,059 euro, ndërsa efekti negativ financiar i llogaritur nga audituesit është 549,059 euro.

Raporti konstaton gjithashtu se kontraktuesi nuk paraqiti siguracionin e përgjegjësisë profesionale, ndërsa për këto shkelje KLSH shkruan se “ngarkohet me përgjegjësi nënshkruesi i kontratës, Titullari i Autoritetit Kontraktor, Pirro Vengu”.

Por Porto Romano nuk është rasti i vetëm.

Një tjetër kapitull i raportit lidhet me kontratat e lidhura me shoqërinë “REDI” ShPK për shfrytëzimin e ambienteve brenda ish-kantierit të peshkimit.

Audituesit konstatojnë se kontrata fillestare nuk përcaktonte sipërfaqen që do të përdorej nga subjekti, nuk kishte planvendosje, nuk ndante hapësirat e operimit dhe nuk u ngrit njësia e monitorimit që parashikonte vetë kontrata.

Edhe kontratat pasuese për shesh depozitimi, grumbullim skrapi dhe zyrë mobile nuk përcaktonin tarifat që duhej të aplikoheshin.

Kur audituesit kryen verifikimet në terren, rezultoi se kompania nuk përdorte 500 metra katrorë, por rreth 17,500 metra katrorë territor portual.

Sipas përllogaritjeve të KLSH-së, vetëm nga mosaplikimi i tarifave për këtë sipërfaqe, Porti i Durrësit nuk arkëtoi 88,672,000 lekë.

Raporti është i drejtpërdrejtë edhe në këtë rast, duke konstatuar se interesat financiare të Autoritetit Portual Durrës “nuk janë mbrojtur nga ana e Këshillit Drejtues dhe Drejtorit Ekzekutiv”.

Një tjetër kapitull i auditimit trajton përdorimin e automjeteve dhe karburantit.

Sipas raportit, rreth 70–80% e urdhrave të shërbimit kishin si destinacion Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me lëvizje pothuajse të përditshme Durrës–Tiranë gjatë orarit zyrtar, madje edhe gjatë periudhës së kufizimeve të pandemisë.

Raporti evidenton se automjeti në përdorim të këshilltarit A. Shllaku rezulton të ketë udhëtuar çdo ditë drejt ministrisë gjatë muajve të pandemisë, në disa raste edhe dy herë në ditë.

Audituesit arrijnë në përfundimin se drejtuesit e Portit “nuk gjenden në ambientet e APD gjatë orarit zyrtar të punës, thuajse çdo ditë”.

Në të njëjtën kohë, shtatë drejtues rezultojnë të kenë përfituar karburant për automjetet e tyre personale, madje edhe për persona që nuk zotëronin automjet, pa kontratë shërbimi dhe pa miratimin e Këshillit Drejtues.

Raporti konstaton gjithashtu se autorizimet për përdorimin e automjeteve nënshkruheshin vetëm në fund të muajit, duke i cilësuar këto nënshkrime si “fiktive pas faktit”.

Në përfundim të auditimit, KLSH rekomandon masa disiplinore për 41 punonjës dhe 20 ish-punonjës të Autoritetit Portual Durrës.

Për Pirro Vengun, rekomandimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit është edhe më i rëndë: shkarkim nga detyra./vna