Rritja e fundit e çmimeve të derivateve të naftës ka bërë që qeveria e Maqedonisë së Veriut të monitorojë situatën në treg. Për këtë çështje është prononcuar kryeministri Hristijan Mickoski, i cili u shpreh se qytetarët duhet të jenë të qetë dhe se qeveria do të ndërhyjë nëse do të jetë e nevojshme.
Mickoski deklaroi se, pavarësisht rritjeve të fundit, Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë ndër çmimet më të ulëta të benzinës dhe dizelit në rajon.
“Ne po e ndjekim situatën me naftën. Ende jemi një vend me çmimet më të ulëta në rajon kur bëhet fjalë për benzinën dhe dizelin. Do të reagojmë ashtu siç kemi reaguar edhe deri më tani. Qytetarët duhet të jenë të qetë”, tha Mickoski.
Sipas tij, çmimet e karburanteve varen nga tregjet ndërkombëtare dhe bursat, ndaj nuk lidhen me performancën e një biznesmeni apo politikani të caktuar.
“Ky është një produkt i bursës dhe nuk është diçka që varet nëse një biznesmen është më i mirë apo më i keq, apo një politikan më i mirë apo më i keq. Të gjithë blejmë nga i njëjti vend”, shtoi kryeministri maqedonas.
Ai siguroi se qeveria do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet dhe do të marrë masa në rast se rritja e çmimeve do të ndikojë ndjeshëm te qytetarët.







