Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka thirrur një kuvend të jashtëzakonshëm të partisë për 30 korrik, ku pritet të trajtohet nisma e qindra delegatëve të partisë për shkarkimin e tij, pas pakënaqësive me rezultatin e partisë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Zyra e LDK-së njoftoi të hënën në Facebook se takimi është thirrur për të enjten e 30 korrikut në orën 18:00.
Vendimi vjen pasi javë më parë, zyrtarë të partisë dorëzuan rreth 150 nënshkrime të nevojshme të delegatëve të partisë për ta thirrur kuvendin.
‘Sekretariati i Përgjithshëm i LDK-së ka kryer verifikimin e të gjitha nënshkrimeve të dorëzuara, në përputhje me dispozitat e Statutit. Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm’, tha LDK-ja të hënën.
Kuvendin e partisë e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.
Nisma për shkarkimin e kryetarit vjen pas përplasjeve të hapura brenda LDK-së dhe pakënaqësive me Abdixhikun, pasi partia doli e treta në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke fituar 18 vende në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.
Zhvillimet në LDK gjithashtu kanë ndikuar edhe në bisedimet për formimin e institucioneve të reja të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Abdixhiku nisi javë më parë bisedimet me liderin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Por, ai më pas njoftoi se do t’i pezullonte bisedimet me Kurtin për shkak të zhvillimeve brenda partisë.
Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 6 gusht, kur do të nisë edhe rrjedhja e procesit për themelimin e institucioneve të reja dhe pritet të shihet nëse Abdixhiku do të mbetet në krye të LDK-së dhe nëse do të ketë vazhdim të bisedimeve LDK-LVV.







