Ballina Opinion Kabareja rilindase e idiotësisë së zyrtarizuar

Kabareja rilindase e idiotësisë së zyrtarizuar

52
0

Nga Ilir Dako

Ziqinisaracakerrizimi është bërë diagnoza e re e politikës shqiptare, një epidemi që ka kapluar jo vetëm tufën e deputetëve, por edhe vetë kryerilindasin.  Kryeministri shqiptar, i vetëshpallur mjeshtër i publicistikës, ka arritur të kthejë çdo dalje publike në një skeç grotesk ku ligjet recitohen si numra të rastësishëm, sikur të ishte duke lexuar kuponat e lotarisë kombëtare. “Ligji 2000, ligji 1701, ligji 1501, ligji 3501, ligji 2055, ligji 1755…” – një bëlbëzim që tingëllon si manuali i një printeri të prishur. Pas një ndërprerjeje të turpshme, rikthehet me triumf si një fëmijë që ka gjetur lodrën e humbur: “Ligji 7501, më falni, mu ndërpre lidhja.” Ky është momenti kur deficenca merr vulën e zyrtarizimit, një kryeministër që e ka kthyer lapsusin në art kombëtar dhe gafën në politikë shtetërore dhe budallallëkun në art performativ.

Në krah të tij, Ziqineja e Çaushëve, me zërin melodik të një sopranoje provinciale, shpall me entuziazëm se do të rritet paga për “3 mijë e 7 qind mijë e tremilionë e katërqind e tetëmbëdhjetë milonë pensionistë.” Një matematikë që do ta bënte edhe Pitagorën të kërkonte azil politik në ndonjë planet tjetër. Dhe ndërsa gishtin ia drejton Saliut si një sfidante dinjitoze, publiku mbetet i hutuar mes operetës së numrave dhe farsës së politikës, duke pyetur veten nëse ky është parlament apo cirk.

Ekonomistja Çakërri, e cila duhej të shpjegonte pse çmimet vazhdojnë të mbeten të larta, përfundon duke thënë se ka rënë euroja. Kur pyetet pse ka rënë euroja, përgjigja është një perlë që meriton të futet në librin Guinness: “Sepse është forcuar leku.” Një interpretim që e kthen ekonominë shqiptare në një skeç të “Portokallisë”, ku logjika është luks dhe absurdi është normë. Në vend të analizës, kemi një bisedë kafeneje të nivelit “më tha kushëriri që dollari ka rënë se ka ngritur kokën leku.” Ku padyshim ky interpretim që do ta bënte edhe Adam Smithin të kthehej në varr nga e qeshura. Ky nivel përfaqësimi është dëshmi e një sistemi arsimor që ka shpërblyer injorancën me mesatare absolute notash, duke e kthyer budallallëkun në diplomë.

Sara Mila, krenare për titullin “deputetja e burgaxhinjve”, shpjegon formulën e saj të famshme: “Jam krenare për burgaxhinjtë që më votuan 170 përqind e burgut, se jam bukuroshe plot nur dhe hire.” Një deklaratë që e kthen parlamentin në një konkurs bukurie për të dënuarit, ku vota nuk është akt politik, por kompliment estetik. Mila është kaseta e kryeministrit, një personazh i ardhur nga tunelet e batakut shqiptar, që e ka kthyer injorancën në krenari publike dhe budallallëkun në karrierë. Në vend të ligjvënies, kemi një defile të absurdit.

Kjo panoramë është një radiografi e budallallëkut të institucionalizuar. Kryeson në krye të idiotësisë kryeministri, i cili në vend që të latonte tufën e deputetëve debilë, është infektuar vetë nga virusi i ziqinizimit. Parlamenti shqiptar është kthyer në një spital psikiatrik pa mjekë, ku çdo deputet është pacient dhe çdo fjalim është simptomë. Ligjëratat e tyre janë diagnoza të një shoqërie që ka shpërblyer mediokritetin dhe ka ngritur në piedestal injorancën, duke e kthyer budallallëkun në normë dhe gafën në politikë shtetërore.

Kur shikon nivelin intelektual të kryetarit të qeverisë dhe dishepujve të tij, të shkon në mendje Shvejku, i cili me pyetjen e tij idiote asgjësoi doktorët e famshëm të psikiatrisë: “Imagjinoni një shtëpi me tri kate. Çdo kat ka nga tetë dritare, në çati ka dy dritare ajrimi dhe dy oxhaqe. Në çdo kat banojnë nga dy qiraxhinj. Dhe tani më thoni, zotërinj: në cilin vit ka vdekur gjyshja e portierit?” Kjo është pyetja që i përshtatet më së miri logjikës së parlamentit shqiptar. Sepse përgjigjja e Shvejkut është edhe diagnoza e rilindjes: “Unë nuk e di çfarë bëj sepse jam zyrtarisht idiot! E kam me letër nga komisioni ushtarak që vuaj nga idiotësia e lindur, kështu që nuk mund të më mbani përgjegjësi për ato që bëj!”

Ndoshta edhe ky grupim deputetësh, pjellë e injorancës, ka nevojë për një komision të ngjashëm, që të analizojë shkallën e lartë të anomalive që ka mbërthyer parlamentin shqiptar. Sepse kur budallallëku bëhet normë, kur injoranca shpërblehet me pushtet, kur absurdi kthehet në ligjëratë, atëherë diagnoza është e qartë: ziqinisaracakerrizimi është sëmundja e re e politikës shqiptare, dhe kryerilindasi është pacienti zero. Dhe në këtë republikë të budallallëkut, çdo fjalim është një recetë e re për delirin, çdo deputet është një simptomë e re, dhe çdo seancë parlamentare është një seancë terapie kolektive ku pacientët duartrokasin njëri-tjetrin për idiotësinë e lindur. Në vend të shtetit, kemi një kabare të pafundme ku publiku nuk di nëse duhet të qeshë apo të qajë./sot