Sipas rezultateve të bëra të ditura nga zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, 169 delegatë votuan kundër shkarkimit të Abdixhikut, duke bërë që mocioni të mos kalojë. Ndërkohë, 152 delegatë votuan pro largimit të tij nga drejtimi i partisë.
“169 kundër shkarkimit, i bie që dështon mocioni për shkarkim. Janë numëruar të gjitha votat”, deklaroi Rukiqi pas përfundimit të procesit.
Votëbesimi ndaj Abdixhikut u zhvillua në një klimë tensionesh të brendshme, pas kritikave të shumta për rezultatet zgjedhore të LDK-së, e cila nën drejtimin e tij ka dalë e treta në tri procese zgjedhore radhazi.
Në fjalimin e mbajtur para delegatëve, Abdixhiku iu përgjigj kritikëve brenda partisë, duke i akuzuar se po dëmtojnë kulturën politike të LDK-së dhe se kanë zgjedhur të sulmojnë publikisht partinë në vend që të kontribuojnë në proceset e saj. Ai theksoi se përgjegjësi u detyrohet vetëm atyre që, sipas tij, ishin të angazhuar në terren gjatë fushatës dhe mbajtën barrën e saj.
Gjatë fjalimit të Abdixhikut u vu re edhe reagimi i kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti, një prej zërave që kishte kërkuar shkarkimin e tij, i cili u pa duke tundur kokën në shenjë mospajtimi.







