Aktivisti Ilir Xhemalaj ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, duke kundërshtuar hapjen e një konsullate serbe në Shkodër dhe duke akuzuar qeverinë shqiptare për qëndrime që, sipas tij, dëmtojnë interesat kombëtare.
Gjatë një deklarate, Xhemalaj kujtoi përvojën e tij gjatë luftës në Kosovë, ku në vitin 1999 ai tha se kishte ndihmuar në kampet e refugjatëve shqiptarë në Fier dhe kishte parë pasojat e dhunës së ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Jam këtu për të folur për tradhtinë e radhës që po i bëhet kombit shqiptar. Në vitin 1999 ndihmova në kampin e refugjatëve të shqiptarëve të Kosovës në Fier dhe aty pashë mizoritë e ushtrisë serbe mbi shqiptarët”, u shpreh ai.
Xhemalaj kritikoi qëndrimet e ministrisë së Jashtme shqiptare, duke pretenduar se po hiqet dorë nga parimi i reciprocitetit me Serbinë dhe se po barazohet dhuna e kaluar me shqiptarët.
Ai kundërshtoi edhe deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç lidhur me trashëgiminë kulturore shqiptare, duke përmendur lahutën si një çështje të debatueshme mes dy vendeve.
“Vuçiç sot paraqiti lahutën shqiptare si serbe”, tha aktivisti.
Në lidhje me hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, Xhemalaj deklaroi se kjo përbën një rrezik dhe kërkoi që ajo të mos lejohet.
“Sot, pasi ministrja serbe na kërcënoi me gjenocid, ministri i Jashtëm kërkon t’ju falë një konsullatë në Shkodër. Nuk do ta lejojmë”, u shpreh ai.
Ai tha se shqiptarët në Preshevë janë autoktonë dhe se Shqipëria duhet të kërkojë hapjen e një konsullate atje, ndërsa e cilësoi konsullatën serbe në Shkodër si një “kurth”.







