Ballina Ekonomia Pritet tjetër rritje çmimi, karburantet do të shënjohen me tarifë 6.5 euro...

Pritet tjetër rritje çmimi, karburantet do të shënjohen me tarifë 6.5 euro për 1,000 litra

34
0

Importuesit, prodhuesit, magazinuesit dhe tregtarët e naftës dhe benzinës do të paguajnë një tarifë prej 6.5 eurosh pa TVSH për çdo 1,000 litra karburant të shënjuar, ndërsa shërbimi do të ofrohet në mënyrë ekskluzive nga shoqëria shtetërore “ALBTrace CO”. Një gjë e tillë pritet të sjellë kosto ektra te bizneset që tregtojnë karburante, që do t’i transferohen qytetarëve si konsumatorët finalë.

Vendimi më i fundit i qeverisë parashikon ngritjen e një regjimi të detyrueshëm për shënjimin dhe gjurmimin e karburanteve. Pas përfundimit të periudhës së zbatimit, e cila mund të zgjasë deri në gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e vendimit, nafta dhe benzina pa shënjuesin zyrtar nuk do të mund të importohen, prodhohen, transportohen, magazinohen, shpërndahen apo tregtohen në Shqipëri.

Pagesa paraprakisht, pa balancë pezullohet shënjimi

Sipas vendimit, operatorët duhet të transferojnë paraprakisht fondet në një llogari të posaçme të “ALBTrace CO”. Pas verifikimit të transfertës, shuma regjistrohet si balancë e disponueshme në Sistemin e Integritetit të Karburanteve.

Balanca nuk mund të jetë më e ulët se 6.5 euro, që përfaqëson tarifën minimale për shënjimin e 1,000 litrave. Kur fondet bien nën këtë nivel, procesi i shënjimit pezullohet automatikisht deri në rimbushjen e llogarisë.

Tarifa do të zbritet automatikisht nga balanca e operatorit për çdo sasi të shënjuar. “ALBTrace CO” do të verifikojë pagesën, monedhën dhe referencën bankare përpara se fondet të bëhen të përdorshme.

Sipas vendimit, shërbimi duhet të kryhet sa më shpejt të jetë e arsyeshme, por jo më vonë se 24 orë nga konfirmimi i pagesës dhe marrja e porosisë.

Ekskluzivitet për ALBTrace në të gjithë vendin

“ALBTrace CO” do të ketë të drejtën ekskluzive për furnizimin dhe injektimin e shënjuesit, përdorimin e teknologjisë përkatëse dhe arkëtimin e tarifës.

Shënjuesi zyrtar, i emërtuar “Ready To Use Marker”, do të furnizohet vetëm nga kjo shoqëri, e cila, sipas dokumentit, zotëron ekskluzivisht teknologjinë dhe njohuritë teknike për përdorimin e tij.

Shoqëria do të menaxhojë edhe sistemin elektronik ku regjistrohen porositë, sasitë e karburantit, targat e mjeteve, të dhënat e operatorëve dhe proceset e shënjimit. Të dhënat e sistemit përcaktohen si pronë e shtetit dhe e autoritetit doganor.

Procesi do të kryhet në katër pika shënjimi, të ngritura nga “ALBTrace CO” dhe të përcaktuara në marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Vendimi i qeverisë nuk identifikon vendndodhjet konkrete të tyre.

Gjithashtu, përpara shënjimit, operatorët duhet të paraqesin dokumentet e regjistrimit, faturën e karburantit, konfirmimin e parapagimit, provën e shlyerjes së taksave dhe të dhënat për sasitë në secilin kompartiment të autobotit.

Në rast mospërputhjeje të dokumentacionit, shërbimi pezullohet. Nëse mangësitë nuk korrigjohen, “ALBTrace CO” njofton administratën doganore, thotë projektvendimi

Asnjë autobot nuk largohet pa certifikatë

Sipas vendimit, shënjuesi do të injektohet në secilin kompartiment të autobotit nga personeli i autorizuar i shoqërisë. Procesi do të regjistrohet në sistem dhe do të kryhet në prani të dëshmitarëve.

Pas përfundimit, lëshohet certifikata e shënjimit, ku përfshihen operatori, subjekti, targa, lloji dhe sasia e karburantit, si dhe nënshkrimet e personave të pranishëm.

Asnjë mjet nuk do të lejohet të largohet nga terminali pa certifikatën e vlefshme. Dokumentet e lirimit të karburantit duhet të mbajnë gjithashtu statusin “karburant i shënjuar”.

Detyrimi do të zbatohet për produktet e bardha, konkretisht gazoilin dhe benzinën pa plumb që hidhen në qarkullim të lirë. Përjashtohen produktet që përfitojnë përjashtim ose reduktim të taksave sipas legjislacionit doganor.

Kontrolli me pesë laboratorë lëvizës

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të mbikëqyrë sistemin, por testimet në terren do të kryhen me teknologjinë dhe personelin e “ALBTrace CO”.

Shoqëria do të vendosë në dispozicion pesë laboratorë lëvizës, të pajisur me analizatorë për kontrollin e karburanteve. Pikat e shënjimit dhe laboratorët do të mbikëqyren me kamera që regjistrojnë dhe transmetojnë në kohë reale procedurat.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e “ALBTrace CO” do të shoqërojnë ekipet doganore gjatë monitorimeve dhe do të kenë akses në vendndodhjet ku gjenden karburantet objekt kontrolli. Pikat dhe koha e kontrolleve do të përcaktohen nga Doganat dhe do të mbahen konfidenciale deri në zhvillimin e operacionit.

Dokumenti parashikon që asnjë kontroll i shënjimit nuk do të konsiderohet i vlefshëm nëse analiza nuk është kryer përmes laboratorëve dhe teknologjisë së vendosur në dispozicion nga “ALBTrace CO”.

Karburanti “nuk kalon” nën kufirin 95%

Vendimi parashikon se gjatë kontrollit merret një mostër prej 500 mililitrash nga rezervuarët, pompat ose kompartimentet e autobotëve. Karburanti do të konsiderohet në përputhje kur përmbajtja e shënjuesit të jetë të paktën 95% e nivelit të përcaktuar.

Kur rezultati është nën 95%, kryhet një test i dytë mbi të njëjtën mostër. Në rast se rezultatet ndryshojnë, zhvillohet edhe një test i tretë.

Nëse testi përfundimtar konfirmon rezultatin “NUK KALON”, karburanti konsiderohet jo në përputhje dhe ndaj subjektit zbatohen masat administrative dhe procedurale të parashikuara nga legjislacioni.

Operatori mund ta vëzhgojë analizën përmes dritares së laboratorit të lëvizshëm dhe merr një kopje të raportit. Mostra prej 500 mililitrash ndahet më pas në pesë pjesë me nga 100 mililitra për laboratorin, subjektin, furnizuesin dhe administratën doganore.

Pengimi i kontrollit sanksionohet

Refuzimi ose pengimi i monitorimit nga operatorët do të trajtohet si kundërvajtje administrative dhe do të sanksionohet sipas ligjit për akcizat, kur veprimi nuk përbën vepër penale.

Brenda 30 ditëve nga fillimi i regjimit të ri, tregtarët dhe pronarët e pikave të karburantit duhet të deklarojnë pranë Doganave inventarin ekzistues, duke përcaktuar llojin, sasinë dhe vlerën e produkteve në gjendje. Mosdeklarimi ose paraqitja e të dhënave të pasakta do të trajtohet sipas legjislacionit tatimor dhe doganor.

Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa regjimi i plotë i shënjimit dhe monitorimit do të nisë pas një periudhe zbatimi deri në gjashtë muaj. /ekofin.al