Ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ishte sot në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Ish-deputetja u shpreh se, sipas fakteve penale të paraqitura nga prokurorët, nevojitet një ballafaqim me Edi Ramën.
“Çështjen e përgjimeve ambientale apo edhe telefonike, sigurisht që e përfundoi dhe e mbylli komplet ‘puzzle’-in e dosjes, ku në një farë mënyre qartësoi nxjerrjen nga konteksti të të gjitha mesazheve në akuzë. Pra, tregoi që ishte një akuzë politike. Metodologjia, për hir të së vërtetës, që unë përdora për të ballafaquar çdo mesazh dhe çdo të dhënë, i dha kuptim të gjithë mbrojtjes për sa i përket fibrës optike, ndërkohë që kam edhe tre seksione të tjera, që janë interkonjeksioni, ligji i minierave dhe hetimi pasuror”, tha Kryemadhi.
“Gjithçka, përsëri, ligji i minierave dhe interkonjeksioni, janë të cituara në bazë të mesazheve. Pra, ka disa mesazhe që janë pa kuptim, ndërkohë që ka shkresa e dokumente shkresore, të cilat vërtetojnë të kundërtën e asaj që thotë akuza dhe që, kështu, detyrimisht duhet të ballafaqojmë. Në qoftë se merret i pandehur Ilir Meta për dy vendime që ka firmosur Edi Rama, një për vendimin e 15 janarit të vitit 2014, vendimin e qeverisë për VKM-në, dhe një për vendimin e KKT-së numër 2, të 5 majit të vitit 2015, atëherë së paku pretendohet që unë kam ushtruar ndikim të paligjshëm përkundrejt kundërshpërblimit ndaj Edi Ramës.
Kështu që, automatikisht, fundesa fundore e gjithë këtij procesi është Edi Rama. Kështu që dëshmia e tij është domethënëse dhe shumë e rëndësishme për të vërtetuar dhe për të thënë se cili ka qenë ndikimi që Monika Kryemadhi ka ushtruar ndaj Ramës.
Pra, i ka vënë pistoletën te koka Monika Kryemadhi, që ka firmosur këto gjëra, apo e ka blerë? Pra, të vijë të dëshmojë për këtë gjë dhe pastaj…”.







