Qytetarë dhe aktivistë kanë denoncuar një masakër të vërtetë mjedisore dhe ekonomike, duke ngritur alarmin se po përgatitet marrja në dorëzim e këtyre aseteve pavarësisht kostove marramendëse dhe mungesës totale të prodhimit të energjisë.
Ambientalisti Lavdosh Ferruni, vuri në shënjestër të akuzave administratoren e KESH-it, e cila sipas tij, është përgjegjëse për vazhdimësinë e kësaj skeme që nga viti 2021.
Për Ferrunin, kostoja e mbajtjes së këtyre “karakatinave” po rëndon dita-ditës mbi xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Sipas tij, deri më tani janë zhvatur nga buxheti i shtetit mbi 70 deri në 100 milionë euro për të mirëmbajtur asete që nuk kanë zgjidhur asnjë emergjencë.
Pavarësisht kësaj fature abuzive, një tjetër tender mirëmbajtjeje prej 20 milionë eurosh pritet t’i shtohet kësaj humnere financiare. Situata bëhet edhe më absurde kur llogaritet se kostoja e naftës për të prodhuar energji nga këto TEC-e arrin në 200 euro për megavat orë, një shifër kjo dy herë më e lartë se çmimi aktual i energjisë në tregjet ndërkombëtare.
Ata kanë kërkuar reagimin e menjëhershëm të ndërkombëtarëve, veçanërisht të ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me shpresën që të ndalet ky korrupsion i hapur.







