Ballina Aktualitet Dokumenta false në tenderin e dekoderave të RTSH, përjashtohen 1 vit nga...

Dokumenta false në tenderin e dekoderave të RTSH, përjashtohen 1 vit nga prokurimet publike dy kompanitë

67
0

Vijon saga e tenderit të Radio Televizionit Shqiptar për mirëmbajtjen e dekoderave. Së fundmi, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka vendosur përjashtimin për 12 muaj nga e drejta për të fituar kontrata publike të dy kompanive R&T sh.p.k. dhe TBS 96 sh.p.k., pas konstatimit se kanë paraqitur dokumentacion me të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi në procedurën e prokurimit.

Vendimi i APP-së, nr. 45, datë 31 korrik 2026, të cilin e ka konsultuar ekofin.al, është marrë pas një procedimi administrativ të nisur mbi kërkesën e Radio Televizionit Shqiptar, në kuadër të procedurës së prokurimit me objekt “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për rrjetin e shpërndarjes DVB-T2 për 48 muaj”, me fond limit rreth 9.5 milionë euro.

Në këtë procedurë morën pjesë tre operatorë ekonomikë. Bashkimi i kompanive R&T dhe TBS 96 paraqiti ofertën më të ulët, rreth 8 milionë euro, duke u renditur fillimisht si oferta ekonomikisht më e favorshme.

Megjithatë, gjatë fazës së verifikimit të dokumentacionit, RTSH konstatoi dyshime mbi vërtetësinë e autorizimeve të paraqitura nga operatorët ekonomikë. Kompanitë pretendonin se ishin të autorizuara nga kompania kineze Xiamen Tongce për furnizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të prodhuesit ndërkombëtar Rohde & Schwarz, pajisje që përdoren në rrjetin kombëtar të transmetimit dixhital.

Verifikimet e kryera drejtpërdrejt me prodhuesin dhe me kompaninë kineze nxorën në pah se dokumentacioni nuk ishte origjinal. Sipas informacionit të administruar nga RTSH dhe më pas nga APP, kompania Xiamen Tongce nuk kishte lëshuar autorizimin e paraqitur dhe nuk ishte distributore e autorizuar e Rohde & Schwarz për tregun shqiptar.

Bazuar në këto prova, Agjencia e Prokurimit Publik arriti në përfundimin se operatorët ekonomikë kishin paraqitur dokumente me të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi, në shkelje të nenit 78/1/a të ligjit “Për prokurimin publik”.

Në vendimin e saj, APP thekson se procedimi administrativ provoi ekzistencën e kushteve për përjashtimin e operatorëve nga e drejta për të fituar kontrata publike. Edhe pse ligji parashikon një masë përjashtimi nga 3 muaj deri në 3 vjet, në këtë rast është vendosur masa 12 muaj, e cila hyn në fuqi menjëherë.

Pas skualifikimit të bashkimit të operatorëve R&T dhe TBS 96, fitues i procedurës është shpallur bashkimi i kompanive Idea-Tel dhe Real Com, me një ofertë prej rreth 9 milionë euro, ose afërsisht 99.2% të fondit limit.

Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si operatorët ekonomikë përpiqen të sigurojnë kontrata publike me vlera shumë të larta, përmes dokumentacionit që rezulton i pavërtetë. /ekofin.al