Ballina Aktualitet “Mikpritja shqiptare, plazhet e kristalta”, gazeta britanike The Sun i kushton artikull...

“Mikpritja shqiptare, plazhet e kristalta”, gazeta britanike The Sun i kushton artikull Shqipërisë: Një perlë që duhet vizituar

84
0

Gazeta britanike The Sun i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, duke e cilësuar si një nga destinacionet më tërheqëse dhe ende të pazbuluara të Evropës.

Sipas artikullit, turistët që janë lodhur nga destinacionet klasike si Spanja, Franca apo Italia, mund të gjejnë në Shqipëri një alternativë që ofron gjithçka: plazhe me ujëra kristal të pastra, fshatra piktoreskë, male spektakolare dhe një kulturë autentike – ndërsa mbetet ende më e përballueshme dhe më pak e mbingarkuar nga turistët.

Duke iu referuar eksploruesit dhe autorit të Wild Guide Albania, Granit Temaj, The Sun veçon jugun e Shqipërisë, veçanërisht gadishullin e Karaburunit, si një nga zonat më të bukura për pushime verore.

Artikulli përmend Gjirin e Gramës, Gjirin e Dafinës dhe Plazhin e Gjipesë si disa nga vendet më spektakolare të Rivierës Shqiptare, ku natyra mbetet e paprekur dhe ku vizitorët mund të shijojnë qetësinë larg turizmit masiv.

Por sipas gazetës, Shqipëria nuk është vetëm një destinacion plazhesh.

Malet e veriut krahasohen me Dolomitet, por përshkruhen si më të egra dhe më pak të zbuluara.

Liqenet e Jezercës, fshatrat tradicionale dhe vendet historike si Lin apo Labova e Kryqit janë disa prej pikave që rekomandohen për t’u vizituar.

The Sun thekson gjithashtu përvojat autentike shqiptare, nga mikpritja dhe ushqimi tradicional, deri te rituali i kafesë së mëngjesit shoqëruar me raki – një traditë që sipas artikullit tregon mënyrën e qetë dhe sociale të jetesës në Shqipëri.

Me fluturime të shkurtra nga Britania e Madhe dhe mundësi për të udhëtuar me kosto më të ulët se shumë vende të tjera evropiane, Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një alternativë e fuqishme ndaj destinacioneve tradicionale të Mesdheut.

“Një vend me plazhe të bukura, male të mahnitshme dhe shumë pak turma krahasuar me fqinjët e tij evropianë” – ky është imazhi i Shqipërisë që po përhapet gjithnjë e më shumë në mediat ndërkombëtare.