Ballina Politika “Reforma territoriale, hile për të kapur pushtetin”/ Flet, Kapri: SPAK do të...

“Reforma territoriale, hile për të kapur pushtetin”/ Flet, Kapri: SPAK do të trokasë te dera e Edi Ramës, pritet arrestimi

120
0

Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i ftuar në nje studio televizive, ka bërë një analize të situatës politike në vend, ndërsa protestat masive kundër qeverisë së Edi Ramës vijojnë pa ndërprerje prej më shumë se 65 ditësh. Gjatë intervistës, ai u ndal te dështimet e qeverisjes në mandatin e katërt, hilet e reformës së re territoriale dhe pritshmëritë se drejtësia e re do të trokasë shumë shpejt në zyrën e kryeministrit.

Duke komentuar nismën e re për ndarjen administrative, Kapri e cilësoi atë si një mjet që Rama po e përdor për të cimentuar pushtetin e tij politik, në kundërshtim me praktikat evropiane ku ekzistojnë njësi të vogla vendore.

“Rama kërkon të cimentojë pushtetin e tij politik. Në Evropë ka njësi të vogla të pushtetit vendor. Sot bashkitë janë me punonjës militantë. Nuk do të heqin njerëzit e tyre nga puna me reformën e re duke shkrirë bashki, por duke rritur territorin e një bashkie do të jetë më e vështirë të menaxhohet,” u theksua nga Kapri.

Duke sjellë shembullin e Tiranës, ku sipas tij ka ende kulla me kate pa leje, ai theksoi se qeverisja lokale ka dështuar në mënyrë spektakolare. Sipas tij, vendimmarrja duhet t’i kthehet komunitetit:

“Duhet të nisen nga parimi që komuniteti vendos. Nëse Libohova do një bashki të vogël për t’u qeverisur, duhet ta ketë këtë të drejtë, e jo të vendosë qeveria gjithçka. Rama do të kërkojë që PS të fitojë 90% të pushtetit lokal me reformën e re në letër.”

Sipas deputetit të Partisë “Mundësia”, kreu i qeverisë është futur në një fazë ku nuk mund të qeverisë më normalisht, sidomos pas shpërthimit të skandaleve të njëpasnjëshme dhe protestave të paprecedenta në histori.

“Rama e ka humbur kontrollin politik; që prej nisjes së mandatit të katërt nuk ka qeverisur dot. Kanë ndodhur skandale si AKSHI dhe Balluku, ndryshoi gjysmën e qeverisë pas skandalit Balluku. Kur mendonte se do arrinte marrëveshje me PD për disa gjëra, ndodhi protesta më e madhe e këtyre 35 viteve,” deklaroi Kapri.

Ai shtoi se bazuar në sondazhet e kryera edhe nga media serioze, rreth 90% e shqiptarëve i shohin kërkesat e protestës si të drejta, edhe nëse nuk janë fizikisht çdo ditë në shesh. Për këtë arsye, ai e quajti largimin e kryeministrit si të domosdoshëm: “Dorëheqja e Ramës është kusht i panegociueshëm. Rama priste që vapa apo sulmet e tij ndaj protestës do e ndalonin, por jo, nuk ia doli dot.”

Në përfundim të fjalës së tij, Kapri u ndal te përgjegjësia penale e kryeministrit, duke u shprehur i bindur se strukturat e posaçme antikorrupsion nuk do ta anashkalojnë dot kreun e qeverisë, pasi emri i tij lidhet me skemat e korrupsionit.

“Rama po punon që të ketë një garanci që të mos preket nga drejtësia. Besojmë se SPAK do të trokasë në derën e Edi Ramës për të kërkuar arrestimin ose pezullimin e tij. Rama nuk e anashkalon dot drejtësinë, emri i tij është në çdo dosje korruptive,” përfundoi Kapri.