Ballina Aktualitet Si u deformua lajmi italian për Altin Dumanin

Si u deformua lajmi italian për Altin Dumanin

107
0

Një artikull i gazetës lokale italiane L’Arena mbi një kallëzim penal të paraqitur ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, është paraqitur nga disa media shqiptare si provë se prokurori shqiptar është “nën akuzë” ose “po hetohet” në Itali. Megjithatë, kjo nuk është ajo që rezulton nga vetë artikulli italian.

Sipas L’Arena, pas revokimit të sekuestrimit të pasurive të kompanisë Meral Srl në Verona, përfaqësuesit ligjorë të familjes Çela depozituan një kallëzim penal ndaj Altin Dumanit, duke pretenduar se informacioni i dërguar nga autoritetet shqiptare ishte i pavërtetë dhe u kishte shkaktuar dëme.

Artikulli sqaron se Prokuroria e Veronës kërkoi arkivimin e procedimit, por gjyqtari Enrico Zuccon vendosi të mos e mbyllë çështjen në këtë fazë dhe urdhëroi verifikime shtesë mbi dokumentacionin e përcjellë nga autoritetet shqiptare.

Në asnjë pjesë të artikullit nuk thuhet se Altin Dumani është marrë i pandehur, se ndaj tij është ngritur një akuzë penale apo se ai është shpallur zyrtarisht nën hetim nga autoritetet italiane. Artikulli flet vetëm për ekzistencën e një kallëzimi penal dhe për vendimin e gjykatës që të kryhen verifikime përpara se të vendoset nëse procedimi do të arkivohet ose do të vazhdojë.

Megjithatë, disa media shqiptare e paraqitën zhvillimin me tituj që krijonin përshtypjen se Dumani ishte tashmë nën akuzë ose po përballej me një procedim penal të konsoliduar në Itali, një interpretim që nuk mbështetet nga formulimet e përdorura në artikullin e L’Arena.

Në praktikën procedurale italiane, depozitimi i një kallëzimi penal nuk nënkupton automatikisht ngritjen e një akuze ndaj personit të kallëzuar. Përpara çdo vendimi të tillë, Prokuroria kryen verifikimet e nevojshme dhe vetëm më pas vendos nëse procedimi do të vijojë ose do të arkivohet.

Deri në këtë moment, nuk rezulton që lajmi të jetë konfirmuar nga media kombëtare italiane si ANSA, Corriere della Sera, La Repubblica apo Rai News, ndërsa burimi i cituar nga mediat shqiptare mbetet artikulli i gazetës lokale L’Arena./vna