Prokuroria e Posaçme ka reaguar pas raportimeve në disa media shqiptare, të cilat iu referuan mediave lokale në Verona të Italisë lidhur me një kallëzim penal ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
Sipas sqarimit zyrtar, kallëzimi është paraqitur nga shtetasi Petrit Çela në Prokurorinë e Veronës për veprën penale të “shpifjes”. Autoritetet italiane kanë kërkuar arkivimin e procedimit, ndërsa pas kundërshtimit të kallëzuesit çështja do të shqyrtohet nga Gjykata e Veronës.
SPAK bën me dije se Petrit Çela e ka përdorur ekzistencën e këtij kallëzimi si argument për të kërkuar përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga procedimi penal nr. 193/2023, ku të pandehur janë familjarët e tij, Marjus Lulaj dhe Mario Çela. Kjo kërkesë është rrëzuar më 19 qershor 2026 nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i cili e ka vlerësuar të pambështetur në ligj dhe në prova.
Në reagim theksohet gjithashtu se Altin Dumani nuk ka qenë pjesë e grupit hetimor të procedimeve penale në Itali dhe Shqipëri, nuk ka kryer asnjë veprim hetimor në këtë çështje dhe roli i tij është kufizuar vetëm në nënshkrimin institucional të dokumenteve për krijimin e Skuadrës së Përbashkët Hetimore (JIT), me nismë të autoriteteve italiane.
Sipas SPAK, Dumani ka marrë dijeni për ekzistencën e kallëzimit në Itali vetëm në muajin maj 2026, pasi Prokuroria e Veronës kishte paraqitur tashmë kërkesën për arkivimin e procedimit. Prokuroria e Posaçme vlerëson se kronologjia e ngjarjeve tregon një lidhje të drejtpërdrejtë mes kallëzimit në Itali dhe interesit të Petrit Çelës për të larguar prokurorin nga dosja ku procedohen familjarët e tij.
Njoftimi i SPAK:
Duke marrë shkak nga disa lajme dhe artikuj të publikuar në disa nga mediat vendase, të cilat i referohen burimeve të mediave lokale të Verona-s në Republikën e Italisë, sqarojmë opinionin publik si vijon :
Shtetasi Petrit Çela i është drejtuar Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, më 20.05.2026 dhe më 18.06.2026, me kërkesë për përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga procedimi penal nr. 193/2023, ku janë të proceduar penalisht të pandehurit Marjus Lulaj dhe Mario Çela (familjarët e shtetasit Petrit Çela), procedim penal në të cilin prokurori Altin Dumani ushtron funksionin e prokurorit të çështjes.
Në mbështetje të kërkesës për përjashtim, shtetasi Petrit Çela ka paraqitur pikërisht faktin e kallëzimit penal të ngritur në Verona, Itali. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pasi ka vlerësuar kërkesën e paraqitur dhe aktet ku ajo është mbështetur, me vendimin e datës 19.06.2026 ka vendosur “Mospranimin e kërkesës”, si e pambështetur në ligj dhe në prova.
Nga dokumentacioni i paraqitur nga shtetasi Petrit Çela rezulton se në Prokurorinë e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, Itali, është regjistruar procedimi penal nr. R.G.N.R. 3514/2026 – R.G. GIP 2877/2026, për veprën penale të “Shpifjes” (calunnia), të parashikuar nga neni 368 i Kodit Penal italian, mbi bazën e një kallëzimi të paraqitur nga shtetasi Petrit Çela ndaj prokurorit Altin Dumani, i cili ka ushtruar funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga data 19 dhjetor 2022 deri më 19 dhjetor 2025.
Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, pas shqyrtimit të akteve, ka paraqitur më datë 21.04.2026 kërkesë për arkivim (richiesta di archiviazione) të procedimit penal, e depozituar më 14.05.2026. Ndaj kësaj kërkese, personi që ka paraqitur kallëzimin penal Petrit Çela ka paraqitur kundërshtim (opposizione) më 11.05.2026, çka ka çuar në caktimin e një seance gjyqësore pranë Seksionit GIP/GUP të Gjykatës së Veronës.
Nga aktet e administruara rezulton se, i vetmi element i identifikuar që lidh prokurorin Altin Dumani me bashkëpunimin ndërkombëtar në fjalë është nënshkrimi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i një shkrese institucionale, më datë 11.07.2024, si dhe i një Marrëveshjeje, më datë 26.08.2024, për krijimin e një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT) mes Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Veronës, nismë e ardhur nga vetë autoritetet italiane në kuadër të procedimit penal nr. 10792/2023.
Prokurori Altin Dumani nuk ka qenë pjesë e grupit hetimor të procedimeve penale nr.10792/2023 (Itali) dhe nr.123/2024 (Prokurori e Posaçme), nuk ka kryer veprime hetimore, marrje në pyetje, sekuestrime apo kërkesë për sekuestrim, si dhe ka marrë dijeni për ekzistencën e procedimit penal në Itali vetëm në muajin maj 2026, pra pas paraqitjes së kërkesës për arkivim nga ana e Prokurorisë italiane.
Nga kronologjia e sipërpërmëndur rezulton lidhja ndërmjet kallëzimit të paraqitur në Itali dhe interesit të drejtpërdrejtë familjar që kallëzuesi Petrit Çela ka në procedimin penal nr.193/2023 të Prokurorisë së Posaçme, si dhe përdorimi i vetë faktit të kallëzimit penal si bazë procedurale për kërkesën e përjashtimit të prokurorit të çështjes.







