Ballina Aktualitet Erion Bani, Bajlozi i zi i lirisë së medias, kthen GJKKO si...

Erion Bani, Bajlozi i zi i lirisë së medias, kthen GJKKO si hotelin e tij në Sarandë, UGSH dhe Federata Evropiane e Gazetarëve dënojnë rregulloren skandaloza që bunkerizon gjykatën. ILD fle gjumë

74
0

Gjyqtari Erion Bani, i njohur për arsyetime të çuditshme dhe qesharake vendimesh, është shndërruar në Bajlozin e zi për lirinë e medias në Shqipëri. Duke dalë jashtë kompetencave, Bani ka shpikur një rregullore të vetën, me kufuzime dhe rregulla të paligjshme dhe antidemokratike, duke bunkerizuar GJKKO-në. Akti i paprecedentë i Banit ka prodhuar reagimet të forta nga komuniteti i gazetarëve në Shqipëri dhe BE, të cilët dënojnë rregulloren e tij si si dokumente që vendosin kufizime të pajustifikuara dhe të paprecedenta ndaj gazetarëve, duke cenuar lirinë e raportimit.

Erion Bani ka tejkaluar edhe kompetencat e tij me rregulloren e paprecedentë, duke dalë mbi Këshillin e Lartë Gjyqësor. Rregulloja e tij hedh pohstë udhëzimit nr. 716, datë 06.12.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Rregullores së Sigurisë së GJKKO-së. Pavarësisht këtyre shkeljeve dhe kthimit të GJKKO si të ishte hoteli i tij privat në Sarandë, ILD-ja me në krye Artur Metanin nuk ka nisur ende procedim disiplinor për gjyqtarin problematik Erion Bani.

Bani / Federata Evropiane e Gazetarëve: Nëse nuk tërhiqen nga rregullorja e re, ankohemi në KiE

Federata Evropiane e Gazetarëve në një për Report Tv e cilëson të papranushme rregulloren e re të GJKKO-së që censuron mediat. Federata Evropiane e Gazetarëve thotë se nëse GJKKO nuk tërhiqet, do të ankohen në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë.

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) është e tronditur kur mëson për synimin e gjyqësorit shqiptar për të zbatuar këto dispozita, të cilat bien ndesh me transparencën që duhet të karakterizojë administrimin e drejtësisë.

Në Evropë, kufizimet për përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjyqit zbatohen ndryshe për gazetarët sesa për publikun e gjerë: edhe në rastet kur ekzistojnë rregulla që ndalojnë përdorimin e telefonave nga publiku, gazetarëve ose reporterëve të akredituar zakonisht u jepen përjashtime të kufizuara për raportim të drejtpërdrejtë me tekst, megjithëse në disa raste shumë të rralla mund të vendosen ndalime të plota ose kufizime të rrepta për shpërndarjen e materialeve dixhitale, me qëllim mbrojtjen e integritetit të procesit gjyqësor.

Rregulli i zakonshëm është që gazetarëve të akredituar u lejohet të mbajnë dhe përdorin telefona celularë ose laptopë në sallën e gjyqit për komunikim të heshtur me tekst, mbajtje shënimesh në kohë reale dhe raportim të drejtpërdrejtë. Natyrisht, ne mund të kuptojmë disa kufizime: zakonisht, fotografimi, regjistrimi audio apo xhirimi i videove brenda sallës së gjyqit mbetet i ndaluar pothuajse kudo, me përjashtim të fillimit të seancave, kur kameramanët dhe fotografët zakonisht lejohen të hyjnë për disa minuta. Por ne nuk mund të pranojmë një ndalim të përgjithshëm që në praktikë i pengon gazetarët të kryejnë punën e tyre në interes të publikut.

Ndalimi i përgjithshëm që planifikohet në Shqipëri është pa dyshim regjimi më kufizues i këtij lloji. Dhe ne nuk arrijmë të kuptojmë se çfarë e justifikon një kufizim të tillë, i cili cenon lirinë e shtypit dhe, për rrjedhojë, edhe të drejtën e publikut për t’u informuar. A kanë gjykatat në Shqipëri diçka për të fshehur?

EFJ mbështet plotësisht qëndrimin e organizatës së saj anëtare, Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AJA): ne besojmë se ky kufizim është krejtësisht i papranueshëm, joproporcional dhe i panevojshëm, pasi nuk ekzistojnë incidente objektive që ta justifikojnë atë. Ne i bashkohemi AJA-së duke i bërë thirrje GJKKO-së që të shtyjë hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje dhe të hapë një proces konsultimi me komunitetin e gazetarëve, organizatat mediatike dhe palët e tjera të interesuara.

GJKKO duhet të kuptojë se është një parim themelor i drejtësisë së hapur që procedurat gjyqësore zhvillohen, në rrethana normale, në publik dhe se media ka të drejtë të raportojë mbi këto procese në mënyrë të hapur dhe transparente. Publiku ka të drejtë të dijë se çfarë ndodh në gjykata dhe tribunale, ndërsa besimi i qytetarëve te sistemi i drejtësisë mbështetet pikërisht mbi transparencën.

Nëse GJKKO nuk e ndryshon qëndrimin e saj, EFJ do të paraqesë një ankesë zyrtare në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë, gjë që do ta detyrojë qeverinë shqiptare të japë shpjegime për këtë kufizim serioz të së drejtës për akses në informacion“.

“GJKKO po legalizon censurën” – Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Rregullorja e re shkel Kushtetutën dhe Konventën Europiane

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ashpër ndaj rregullores së re të brendshme dhe komentarit shoqërues të publikuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke i cilësuar ato si dokumente që vendosin kufizime të pajustifikuara ndaj gazetarëve dhe cenojnë lirinë e raportimit.

Sipas UGSH-së, Vendimi nr. 49, datë 17 korrik 2026, “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e GJKKO-së”, si dhe komentari shoqërues prej 532 faqesh, vendosin procedura burokratike dhe kufizime të reja për praninë e mediave në institucion, duke e kthyer të drejtën e raportimit në një proces autorizimi administrativ.

Rregullorja e re e GJKKO-së, kufizime dhe për avokatët! Kreu i Dhomës së Avokatisë Haxhia, i revoltuar: Hartuar pa transparencë e bazë ligjore, do propozoj bojkot

Rregullorja e re e Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar “është hartuar në mungesë të plotë transparence dhe pa asnjë bazë ligjore”. Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, profesor doktor Maksim Haxhia, në një reagim për Report TV shprehet i revoltuar për dokumentin e GJKKO-së, i cili parashikon kufizime të rënda jo vetëm për gazetarët, por edhe për vetë avokatët në ushtrimin e mbrojtjes së klientëve të tyre. Ai thotë se, personalisht, do t’u propozojë strukturave të Dhomës së Avokatisë bojkotimin e seancave në këtë gjykatë.

Sipas avokatit Haxhia, “përveçse pa transparencë, ajo është hartuar dhe publikuar në mënyrë djallëzore, në periudhë pushimesh, gjatë së cilës, ashtu si strukturat e Dhomës së Avokatisë, edhe institucione të tjera janë të mbyllura”. Në fakt, rregullorja është miratuar që më 17 korrik, por publikimi i saj u njoftua vetëm më 31 korrik.

Sipas kryetarit të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, “rregullorja nuk ka asnjë bazë ligjore. Këto janë kompetenca të KLGJ-së dhe jo të drejtuesit të GJKKO-së”, vë në dukje ai, duke shtuar se, megjithatë, “nuk është e habitshme, pasi në mënyrë graduale ka pasur një trajtim denigrues që në koncept ndaj avokatëve”.

Haxhia thotë se do të kërkojë mbledhjen e strukturave të Dhomës së Avokatisë në ditët e para të shtatorit për të marrë në shqyrtim dokumentin e GJKKO-së dhe për të dalë me një qëndrim institucional.

Unë do të propozoj bojkot, sepse kjo situatë nuk mund të lejohet të vijojë më kështu. Ka mbetur vetëm që ta heqin fare avokatinë“, përfundon ai.

Censura e GJKKO-së ndaj mediave, avokati Plarent Ndreca kërkon pezullimin e rregullave të reja: Cenojnë të drejtën e informimit dhe publicitetin e gjykimit

Pasi GJKKO i ka mbyllur përfundimisht dyert për mediat me vendimin e fundit të kryetarit Erion Bani, duke shënuar një akt të paprecedentë në marrëdhëniet e gjyqësorit me mediat, avokati Plarent Ndreca i ka drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë një Memorandum, ku kërkon kundërshtimin e vendimit.

Në memorandum kërkohet ekzaktësissht pezullimi i Udhëzimit nr. 716, datë 06.12.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Rregullores së Sigurisë së GJKKO-së. Sipas memorandumit, këto akte administrative tejkalojnë kompetencat e organeve që i kanë miratuar dhe cenojnë parime kushtetuese, si publiciteti i gjykimit, pavarësia e avokatit dhe funksioni gjyqësor.

Ndreca argumenton se kufizimet ndaj të drejtave dhe lirive themelore mund të vendosen vetëm me ligj dhe jo përmes akteve administrative.

Në dokument i kërkohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë të ndërmarrë veprime institucionale dhe gjyqësore për konstatimin e pavlefshmërisë së këtyre akteve, si edhe të garantojë mbështetje për avokatët e prekur nga zbatimi i tyre.

Memorandumi përfundon me thirrjen për një rishikim të plotë të standardeve që rregullojnë publicitetin e gjykimit dhe ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet evropiane./Prapaskena