Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të qartë se posti i Presidentit mbetet një nga kushtet kryesore në bisedimet për krijimin e institucioneve të reja, pas takimit pa rezultat mes kreut të partisë, Lumir Abdixhiku, dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Deputetet e zgjedhura të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu dhe Hykmete Bajrami, deklaruan se partia e tyre synon të marrë postin e kreut të shtetit, duke argumentuar se kjo do të garantonte balancimin e pushteteve në Kosovë.
Lushaku-Sadriu tha se qëndrimi i LDK-së ka qenë që institucionet të ndërtohen mbi një ndarje proporcionale të përgjegjësive politike.
“Presidenti duhet t’i takojë LDK-së, në mënyrë që të diskutohet për të gjithë pushtetin dhe më pas të bëhet një ndarje proporcionale”, u shpreh ajo para mbledhjes së Grupit Parlamentar.
Në të njëjtën linjë, Hykmete Bajrami deklaroi se posti i Presidentit do të ishte një garanci për ekuilibrin institucional dhe politik në vend, duke shtuar se ofertat për poste ministrore nuk ofrojnë të njëjtin nivel sigurie.
Deklaratat vijnë një ditë pasi Abdixhiku dhe Kurti zhvilluan një takim që zgjati më shumë se tre orë, pa arritur një marrëveshje. Një nga pikat kryesore të mospajtimit mbetet pikërisht çështja e Presidentit.
Kurti ka kërkuar zgjedhjen e një figure konsensuale dhe jopartiake për postin e kreut të shtetit, ndërsa Abdixhiku ka theksuar se president konsensual është çdo kandidat që arrin të sigurojë 80 vota në Kuvend.
“LDK duhet të ndihet e përfaqësuar për t’i dhënë votat e saj”, deklaroi Abdixhiku pas takimit.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK garoi me synimin për t’i siguruar Vjosa Osmanit një mandat të ri presidencial. Vetë Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, morën pjesë në takimin me Kurtin.
Ndërkohë, më 6 gusht pritet të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së re. Pas konstituimit të Kuvendit do të nisin afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit. Deputetët do të kenë 60 ditë kohë për të zgjedhur kreun e shtetit; në të kundërtën, Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje.
LVV ka siguruar 58 mandate dhe, së bashku me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, ka votat e nevojshme për formimin e Qeverisë. Megjithatë, për zgjedhjen e Presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së, e cila ka 18 mandate, do të siguronte minimumi 81 vota, duke krijuar kushtet e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës.







