Ballina Sport ​Neymar në qendër të kritikave pas skenave në korridoret e stadiumit

​Neymar në qendër të kritikave pas skenave në korridoret e stadiumit

40
0

Neymar Jr. është bërë protagonist i një incidenti pas fitores së Santosit me rezultat 1-0 ndaj Remos, në kuadër të Kupës së Brazilit, që i siguroi skuadrës së tij kalimin në fazën çerekfinale.

Një video që është bërë virale në mediat sociale shfaq yllin brazilian duke humbur kontrollin në korridoret që çojnë drejt dhomave të zhveshjes, ku shihet duke u përplasur verbalisht me lojtarë, pjesëtarë të stafit dhe tifozë kundërshtarë.

Sipas raportimeve, tensioni mes Neymarit dhe tifozëve të Remos nisi që nga momenti kur ai u fut në lojë si zëvendësues në pjesën e dytë. Braziliani pati ndikim të drejtpërdrejtë në ndeshje, duke dhënë asistimin për golin e fitores të shënuar nga Rony.

Pas përfundimit të takimit, Neymar iu përgjigj provokimeve nga tribunat duke iu dërguar puthje tifozëve kundërshtarë, ndërsa në korridoret e stadiumit raportohet se ka provokuar me thirrjet: “Jeni eliminuar, jeni eliminuar”.

Situata u tensionua edhe më shumë në zonën mikse, ku reagimet e lojtarëve dhe tifozëve të Remos bënë që Neymar të shpërthente sërish.

Drejtori i Remos, Antonio Carlos Teixeira, i cili ishte i pranishëm gjatë incidentit, kritikoi ashpër sjelljen e sulmuesit brazilian.

“Samposit nuk i duhet kjo. Neymar, i cili adhurohet nga shumë fëmijë, u soll si një palaço dhe më pas erdhi të na provokojë. Gabimi ynë është që kemi idolizuar njerëz të tillë”, deklaroi Teixeira.

Incidenti ka nxitur reagime të shumta në Brazil, ndërsa sjellja e Neymarit pritet të diskutohet gjerësisht në ditët në vijim.