Nga Lutfi Dervishi
Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të linte në fuqi, amendamentet e ligjit për zonat e mbrojtura, protesta me shumë gjasë nuk do të ndodhte…
Nuk do të shihnim në Zvernec gardhe me tela me gjemba dhe buldozere që “hapin rrugë për komunitetin”, dhe nuk do të patakseshim nga zvarritja e protestuesit nga roje private në sy të drejtuesve të policisë që edhe u goditën me spray me piper.
Dhe ndoshta protesta që më pas mbërriti brenda ditës në kryeqytet nuk do të merrte përmasat që mori, duke e zhvendosur vëmendjen e medias perëndimore nga Teherani në Tiranë.
Për rrjedhojë nuk do kishim nevojë të kthenim Besën në oden e burrave!
Një gjykatë e pavarur i vë kufirin të thana pushtetit, nje gjykatë me integritet garanton se ligji është i barabartë për të gjithë dhe nuk shkruhet për interesa të një personi apo një grushti njerëzish.
Shtet i së drejtës do të thotë që qeveria nuk mund të bëjë çfarë të dojë, kur të dojë, sa të dojë si të dojë dhe kundër kujt të dojë.
Kur drejtësia kushtetuese vepron me shpejtësi dhe besueshmëri, ajo nuk mbron vetëm Kushtetutën, por ul konfliktin politik, shmang tensionet shoqërore, rrit besimin e qytetarëve dhe krijon një klimë më të mirë edhe për ekonominë.
Gjykata kushtetuese ka një rol kyç në stabilitetin politilk, institucional dhe demokratik të një vendi. Ajo duhet të shprehet shpejt, saktë dhe qartë.
Në fund, nuk mund të thuhet me siguri se një vendim tjetër do ta kishte penguar protestën, por mund të thuhet me siguri që një vendim tjetër mund të kishte shmangur zinxhirin e ngjarjeve që e sollën atë.
Një vendim tjetër i gjykatës , do të bënte që sot të flisnim për gjithçka, ndoshta do t’i bënim gjyqin Gianni Infantinos.
Një vendim tjetër do të rriste besimin te institucionet, pa qenë nevoja të kërkojmë shpëtim te Besa!







