Një sasi e konsiderueshme prej 21 ton kokainë janë sekuestruar nga autoritetet spanjolle, e cila ka goditur një organizatë qe vepronte në portet kryesore të Spanjës dhe të Ekuadorit.
Në pranga janë vënë 43 persona, nga të cilët tetë në Spanjë dhe 36 në Ekuador. Nga bastisjet e shtëpive në Spanjë janë sekuestruar një milion euro para cash.
Organizata kriminale, me seli kryesisht në La Rioja, dyshohet se krijoi një rrjet për të futur kontejnerë me sasi të mëdha kokaine përmes porteve të Malagas, Algeciras dhe Valencias.
Organizata kishte tre degë, njëra e lidhur me shqiptarët në Dubai
Sipas autoriteteve spanjolle organizata kriminale përbëhej nga tre degë. E para, dega kryesore spanjolle, përbëhej nga shtetas spanjollë dhe marokenë dhe ishte përgjegjëse për krijimin e strukturës së biznesit të nevojshme për importimin e kontejnerëve nga Amerika e Jugut. Funksioni i saj ishte t’i jepte aktivitetit një pamje të ligjshme dhe të siguronte një destinacion për ngarkesën legjitime.
Dega e dytë e rrjetit e kishte origjinën në Ekuador, nga ku buronte pjesa më e madhe e drogës së sekuestruar. Nga qendrat kryesore logjistike të vendit, kryesisht porti i Guayaquil, ata kontrollonin kontejnerët që përfundimisht do të arrinin në Spanjë.
Dega e tretë, me seli në Dubai, përbëhej nga investitorë me origjinë shqiptare të cilët injektuan shuma të mëdha parash në kompanitë spanjolle, të cilat nga ana tjetër shërbenin si pagesa për t’u siguruar atyre aktivitet dhe kështu për të kamufluar dërgesat e mëdha periodike të drogës.
Arrestimet dhe kontrollet e para në Ekuador
Sipas policisë spanjolle në mars të vitit 2025, u krye në Ekuador faza e pare e hetimit, duke çmontuar degën me seli në atë vend dhe duke rezultuar në 50 kontrolle shtëpish në pjesë të ndryshme të vendit, si dhe arrestimin e 36 personave.
Ky operacion përfshinte personel nga Njësia Qendrore Operacionale (UCO) e integruar në forcën policore ekuadoriane.
Arrestime dhe bastisje shtëpish në Spanjë
Në Spanjë, si rezultat i këtij hetimi që zgjati më shumë se dy vjet, janë kryer kontrolle shtëpish dhe arrestime në provincat e La Rioja-s, Alicante-s, Seville-s dhe Cadiz-it.
Operacioni rezultoi në arrestimin dhe hetimin e tetë personave dhe sekuestrimin e afërsisht një milion eurove në para të gatshme të gjetura gjatë kontrolleve të kryera në qytetin Arnedo (La Rioja). Gjithashtu janë ngrirë shumë prona, automjete dhe asete financiare.







