Fondi Shqiptaro Amerikan do të hyjë në tregun e mikrokredisë sociale në Shqipëri duke sjellë për herë të parë në vend modelin Grameen, të ndërtuar nga fituesi i çmimit Nobel Muhamed Yunus.
AADF regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit shoqërinë Grameen Impact Albania, e cila do të japë kredi të vogla sociale me interesa të ulëta dhe pa kolateral për shtresat me të ardhura të pakta.
Këto kredi kanë për qëllim financimin e ngritjes e bizneseve apo aktiviteteve të vogla sipërmarrëse nga familjet e varfra me qëllim nxjerrjen e tyre nga kthetrat e varfërisë.
“Në përputhje me miratimet dhe licencat e dhëna nga autoritetet kompetente, Shoqëria mund të kryejë aktivitetin e kredidhënies si dhe çdo aktivitet tjetër në lidhje me aktivitetin kreditues ose që është i nevojshëm për funksionimin e duhur të Shoqërisë,” thuhet në statutin e depozituar në QKB.

Ende nuk dihet se cilat do të jenë normat maksimale të interesit dhe shuma maksimale e kredisë që do të aplikojë ky institucion i ri i mikrofinancës në Shqipëri.
Por mikrokredia sociale është e kundërta e asaj që ka ndodhur deri më tani në vend, ku modeli i shushunjave Iute dhe Kredo, që financojnë kredi konsumatore me norma grabitqare, ka prodhuar më shumë drama sociale se impakt ekonomi.
Mikrokredia sociale nuk financon kredi konsumatore me interesa fajdesh, por financon me interesa të buta ngritjen e sipërmarrjeve nga kategoritë më të varfra të shoqërisë. Si rrjedhojë qëllimi i këtij modeli nuk është fitimi, por impakti social për zbutjen e varfërisë.
Mikrofinanca Grameen është një sistem bankar me famë botërore, i krijuar për herë të parë nga ekonomisti Muhammad Yunus në vitin 1976, për t’u ofruar mikrokredi pa kolateral njerëzve të varfër.
I themeluar zyrtarisht si Banka Grameen në Bangladesh në vitin 1983, ky model pionier revolucionarizoi financat globale duke vërtetuar se komunitetet e varfra—veçanërisht gratë—janë huamarrëse jashtëzakonisht të besueshme.
Organizata dhe themeluesi i saj u nderuan me Çmimin Nobel të Paqes në vitin 2006 për punën e tyre revolucionare në zbutjen e varfërisë./Kapitali







