Banorët e Memaliajt kanë dalë në protestë kundër reformës së re territoriale të qeverisë Rama, duke kundërshtuar planin për bashkimin e Bashkisë Memaliaj me Bashkinë Tepelenë. Qytetarët kërkojnë që Memaliaj të ruajë bashkinë e saj dhe institucionet vendore, duke paralajmëruar se një bashkim i tillë do të largojë më tej shërbimet nga komuniteti.
Në protestë, banorët ngritën shqetësimin se vendimet për ndarjen territoriale po merren pa u konsultuar me qytetarët dhe se bashkimi me një tjetër bashki do të vështirësojë marrjen e shërbimeve, sidomos për banorët e zonave të thella.
Një prej protestuesve tha se Memaliaj është një qytet me histori dhe identitet të veçantë, i lidhur ngushtë me punën e minatorëve dhe kontributin e brezave ndër vite. Sipas qytetarit, bashkimi i bashkive nuk i afron shërbimet, por i largon ato nga banorët.
Edhe banorë të tjerë kundërshtuan bashkimin me Tepelenën, duke argumentuar se Memaliaj ka kapacitetet dhe historinë e saj për të pasur një administratë vendore më pranë qytetarëve. Një e moshuar 70-vjeçare tha se mbajtja e bashkisë në Memaliaj është e domosdoshme për komunitetin.
Protestuesit kërkuan që reforma territoriale të mos reduktohet në ndryshime hartash, por të marrë në konsideratë identitetin e komuniteteve, distancën e qytetarëve nga institucionet dhe nevojën për shërbime sa më pranë tyre.







