Jorge Messi, babai dhe agjenti i yllit argjentinas Lionel Messi, ka vdekur të premten mbrëma në një klinikë në Rosario të Argjentinës, raportojnë mediat argjentinase duke iu referuar Infobae.
Sipas raportimit, Jorge Messi ndërroi jetë rreth orës 22:00, në moshën 68-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë me të cilën ishte përballur gjatë kohëve të fundit.
Jorge Messi ishte një prej figurave më të rëndësishme në karrierën e djalit të tij. Për vite me radhë ai menaxhoi çështjet profesionale të Lionel Messit dhe qëndroi pranë tij në momentet më të rëndësishme të karrierës.
Ai luajti rol të rëndësishëm edhe në fëmijërinë e Lionel Messit, kur familja kërkonte trajtimin e nevojshëm mjekësor për problemet e rritjes së tij. Më vonë, Jorge qëndroi pranë të birit edhe gjatë zhvendosjes së familjes në Spanjë dhe fillimit të aventurës së tij te Barcelona.
Humbja e tij përbën një goditje të madhe për Lionel Messin, me të cilin Jorge kishte ndarë jo vetëm lidhjen baba-djalë, por edhe një pjesë të madhe të rrugëtimit profesional që e shndërroi argjentinasin në një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori.
Në qershor, familja Messi kishte kërkuar privatësi dhe kujdes lidhur me gjendjen shëndetësore të Jorge Messit, pasi në atë kohë qarkulluan edhe raportime të rreme për vdekjen e tij. Familja kishte bërë të ditur se ai po trajtohej dhe po rikuperohej nën mbikëqyrje mjekësore.







