Një godinë me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë është ngritur pa leje në Qeparo që prej dhjetorit 2025. Për muaj me radhë objekti ka marrë formë, kat pas kati, pa u ndalur nga Policia apo strukturat e tjera përgjegjëse për kontrollin e territorit.
Por sapo ndërtimi u kthye në çështje publike, reagimi ishte i menjëhershëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, urdhëroi pezullimin nga detyra të katër punonjësve të Policisë që kanë qenë pjesë e zinxhirit përgjegjës në Himarë gjatë periudhës së ndërtimit të objektit.
Mes tyre është ish-shefi i Komisariatit të Himarës, ish-shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum, specialisti i hetimit të krimit për zonën dhe ndihmës/specialisti i Policimit në Komunitet.
Vetë Policia pranon në njoftimin zyrtar se objekti kishte nisur të ndërtohej në dhjetor 2025 dhe se Komisariati i Himarës nuk kishte marrë masa për parandalimin e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë të personit që po ndërtonte.
Pra, për muaj të tërë askush nuk reagoi. Pastaj, brenda pak orësh, u gjet i gjithë zinxhiri i përgjegjësisë.
Pezullimi i policëve mund të jetë plotësisht i justifikuar dhe hetimi duhet të përcaktojë përgjegjësinë e secilit. Por shpejtësia me të cilën Policia e Shtetit gjeti sot përgjegjësit në Himarë nxjerr në pah një tjetër problem: standardin me të cilin ajo kërkon përgjegjësi brenda radhëve të veta.
Vetëm pak muaj më parë, efektivi Enea Mekolli humbi jetën gjatë një operacioni policor në Maliq. Pas ngjarjes u ngritën pikëpyetje serioze mbi organizimin dhe zhvillimin e operacionit, por nuk u pa një reagim i ngjashëm publik ndaj zinxhirit komandues me atë që po ndodh sot në Himarë.
Në Qeparo, një pallat pesëkatësh mjaftoi që brenda një dite të pezullohej zinxhiri policor përgjegjës për zonën. Në Maliq humbi jetën një punonjës policie gjatë kryerjes së detyrës dhe përgjegjësia institucionale nuk u demonstrua me të njëjtin spektakël pezullimesh.
Askush nuk duhet të mbrohet nëse ka toleruar një ndërtim pa leje. Por as përgjegjësia nuk mund të funksionojë sipas intensitetit të skandalit të ditës.
Sepse objekti në Qeparo nuk u ngrit dje. Sipas vetë Policisë së Shtetit, ai ndërtohej që prej dhjetorit. Katër policët u pezulluan sot. Godina, ndërkohë, kishte tetë muaj që po u rritej para syve.







