Të paktën 50 persona kanë humbur jetën pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.4 që goditi Kolumbinë perëndimore, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet nën rrënoja për persona të bllokuar.
Presidenti i Kolumbisë, Abelardo de la Espriella, ka mbërritur në Bogotá, ku po drejton reagimin ndaj situatës së emergjencës nga Salla Kombëtare e Krizave e Njësisë Kombëtare për Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (UNGRD). Në takim ndodhen edhe nënkryetari, ministrat dhe zyrtarë të lartë.
Presidenti kolumbian ka deklaruar se qeveria do të bëjë “gjithçka të nevojshme” për të mbështetur zonat e prekura. “Nuk je vetëm”, shkroi ai në rrjetin social X. Edhe Ekuadori ka ofruar ndihmë.
Presidenti i Ekuadorit Daniel Noboa tha se vendi është gati të dërgojë ekipin e specializuar USAR, me 47 shpëtimtarë, qen të trajnuar dhe pajisje, me autonomi operimi deri në shtatë ditë.
Autoritetet kolumbiane kanë konfirmuar gjithashtu se nuk ka kërcënim për cunami në bregdetin e Paqësorit pas tërmetit. Shtetet e Bashkuara po e monitorojnë nga afër situatën dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni është i gatshëm të ofrojë mbështetje.
Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat më të goditura, ndërsa ekipet dhe banorët po kontrollojnë ndërtesat e dëmtuara në përpjekje për të gjetur të mbijetuar.







