Ballina Politika Deklaratat e Vuçiç/ Deputetja e PD kritika edhe për Ramën: Diplomacia nuk...

Deklaratat e Vuçiç/ Deputetja e PD kritika edhe për Ramën: Diplomacia nuk matet me numrin e batutave. Mbështetja e Shqipërisë duhet të jetë politikë shtetërore

51
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Greta Bardeli, ka reaguar në Facebook për qëndrimet ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke deklaruar se Shqipëria duhet të ketë një qëndrim të qartë dhe të qëndrueshëm në mbështetje të Kosovës.

Bardeli thekson se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se Serbia duhet ta njohë këtë realitet. Sipas saj, çdo përpjekje për ta trajtuar Kosovën si pjesë të territorit serb është e papranueshme dhe institucionet shqiptare duhet të flasin me një zë për këtë çështje.

Deputetja demokrate ka kritikuar edhe kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai nuk mund të paraqitet si mbrojtës i interesave të Kosovës vetëm përmes deklaratave në rrjetin social X.

“Diplomacia nuk matet me numrin e batutave që bëhen virale. Matet me qëndrimet që mban kur kamerat janë fikur, me aleancat që ndërton dhe me vijën politike që ndjek për vite me radhë”, shkruan Bardeli.

Ajo ka rikujtuar afrimin e Ramës me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe projektin “Ballkani i Hapur”, duke argumentuar se qëndrimet e sotme të kryeministrit ndaj Beogradit bien ndesh me qasjen që, sipas saj, ka mbajtur për vite me radhë.

“Prandaj Shqipërisë nuk i duhet një kryeministër që herë shfaqet si miku më i afërt i Vuçiçit me gotën e verës në tavolinë, dhe herë si kundërshtari i tij më i fortë në X. Shqipërisë i duhet një politikë e jashtme e qëndrueshme dhe strategjike”, shprehet deputetja.

Bardeli kërkon që politika shqiptare ndaj Kosovës të bazohet në koordinim me institucionet e Kosovës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të saj, si dhe në përputhje me aleatët euroatlantikë.

Reagimi i plotë:

Për Kosovën nuk ka dhe nuk duhet patur kurrë, asnjë ekuivok.
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, Serbia duhet ta njohë këtë realitet dhe çdo përpjekje për ta trajtuar atë, edhe për shkak të problemeve brenda Beogradit, si pjesë të territorit serb është e papranueshme. Në këtë pikë, çdo institucion shqiptar duhet të flasë me një zë.
Por Edi Rama nuk mund të paraqitet sot si gardiani i madh i interesit të Kosovës vetëm sepse përpiqet të duket interesant në formatin X.
Diplomacia nuk matet me numrin e batutave që bëhen virale. Matet me qëndrimet që mban kur kamerat janë fikur, me aleancat që ndërton dhe me vijën politike që ndjek për vite me radhë.
Për vite, Rama e ndërtoi protagonizmin e tij rajonal mbi afrimitetin personal me Aleksandar Vuçiçin, mbi spektaklin e “Ballkanit të Hapur” dhe mbi idenë se ai mund të ishte ndërmjetësi i madh i rajonit. Në atë kohë, shumë prej shqetësimeve që vinin nga Prishtina trajtoheshin si pengesë për projektet e tij politike.
Sot, papritur, kryeministri shqiptar zbulon “folklorin politik të Beogradit”.
U kthye në realitet zoti Rama??!!
Serbia nuk e ka njohur Kosovën dje dhe nuk e mohoi për herë të parë sot. Narrativa e “Kosovës dhe Metohisë”, pretendimet mbi territorin dhe burimet e Kosovës dhe fantazma e përhershme e “Shqipërisë së Madhe” kanë qenë prej vitesh pjesë e diskursit politik serb.
Prandaj Shqipërisë nuk i duhet një kryeministër që herë shfaqet si miku më i afërt i Vuçiçit me gotën e verës në tavolinë, dhe herë si kundërshtari i tij më i fortë në X.
Shqipërisë i duhet një politikë e jashtme e qëndrueshme dhe strategjike.
Në mbështetje të Kosovës.
Në koordinim me institucionet e Kosovës.
Në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të saj.
Dhe në përputhje të plotë me aleatët tanë euroatlantikë.
Kosova nuk është skenografi për protagonizmin personal të askujt.
As për Beogradin.
As për Tiranën.
Kosova është Republikë.
Dhe mbështetja e Shqipërisë për të duhet të jetë politikë shtetërore, jo status vere i Edi Ramës