Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me deklaratën e fundit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sipas të cilit autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe kanë angazhuar ekspertë për këtë qëllim.
Përmes një deklarate zyrtare, KASH e konsideron veçanërisht alarmuese që një çështje kritike që lidhet drejtpërdrejt me burimet ujore, sigurinë energjetike dhe mirëqenien e qytetarëve, të përdoret në një kontekst politik si instrument presioni ndaj Republikës së Kosovës.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rikujton se lumi Ibër dhe sistemi i Ujmanit (Gazivodës) janë vendimtarë për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, ekonominë dhe jetesën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie.
Sipas KASH-it, çdo ndërhyrje e njëanshme që synon të ndryshojë rrjedhën natyrore të lumit dhe që shkakton pasojat ndërkufitare, përbën një veprim të papërgjegjshëm që bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Në deklaratë nënvizohet se e drejta ndërkombëtare e ujërave ndërkufitare mbështetet në përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të burimeve të përbashkëta, si dhe në detyrimin e shteteve për të parandaluar dëmet ndaj palëve të tjera përmes bashkëpunimit, njoftimit dhe konsultimit paraprak.
KASH referon Konventën e OKB-së të vitit 1997 mbi të Drejtën e Përdorimeve Jo-Lundruese të Rrjedhave Ujore Ndërkombëtare dhe Konventën e UNECE-së të vitit 1992, duke theksuar se projekte të tilla me ndikim serioz mjedisor e ekonomik nuk mund të trajtohen kurrsesi si çështje thjesht të brendshme të Serbisë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje të drejtpërdrejtë Presidentit Vuçiç dhe institucioneve serbe të distancohen nga çdo ide apo veprim i njëanshëm që rrezikon sigurinë ujore dhe stabilitetin e rajonit.
Në të njëjtën kohë, KASH kërkon nga Uashingtoni, Brukseli, OSBE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë që ta trajtojnë këtë situatë me seriozitetin maksimal dhe t’i kërkojnë transparencë e sqarime zyrtare Beogardit mbi ekzistencën e çdo projekti për devijimin e lumit Ibër, duke ritheksuar se uji duhet të bashkojë dhe jo të përdoret si armë politike.







