Ballina Bota Tërmeti shkatërrues në Kolumbi/ 132 të vdekur dhe mbi 480 të plagosur,...

Tërmeti shkatërrues në Kolumbi/ 132 të vdekur dhe mbi 480 të plagosur, shpallet gjendja e jashtëzakonshme

45
0

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë goditi Kolumbinë perëndimore, të hënën, duke shkaktuar të paktën 132 viktima dhe mbi 480 të plagosur. Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa bilanci pritet të rritet për shkak të personave që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Tërmeti u regjistrua në orën 07:34 me kohën lokale, në një thellësi prej rreth 103 kilometrash, me epiqendër pranë fshatit San José del Palmar, në provincën Chocó. Lëkundjet u ndjenë në një zonë të gjerë në të gjithë Kolumbinë perëndimore.

Një nga zonat më të prekura është Pereira, rreth 55 kilometra nga epiqendra. Autoritetet raportojnë të paktën 40 viktima në zonën metropolitane, ndërsa 65 ndërtesa janë shembur dhe në 15 prej tyre dyshohet se ka persona të bllokuar.

Pamjet e verifikuara tregojnë shembjen e një ndërtese në Plaza Bolívar, sheshi kryesor i qytetit, ndërsa rrënojat dhe pluhuri mbuluan zonën ku ndodheshin qytetarë.

Edhe Cali është goditur rëndë, me të paktën 32 ndërtesa të shembura. Raporte për viktima dhe dëme të konsiderueshme janë regjistruar gjithashtu në Manizales, Quibdó dhe Medellín, si dhe në rajonet Chocó dhe Valle del Cauca.

Ndërkohë, në disa zona të Pereiras është vendosur shtetrrethim deri në orën 05:00 të së martës, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë kërkimet nën rrënoja.

Një turist britanik që ndodhej në Cali në momentin e tërmetit ka përshkruar momentet e panikut: “Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë.” Ai tha se doli me vrap nga hoteli, ndërsa në ndërtesë u shfaqën çarje në mure dhe u shkëputën pjesë të suvasë.