Ballina Aktualitet Skandali me ilaçet me rimbursim, KLSH gjen 43 barna pa autorizim dhe...

Skandali me ilaçet me rimbursim, KLSH gjen 43 barna pa autorizim dhe 46 “të paimportuar”, por të hedhura në treg

51
0

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur probleme serioze në verifikimin e barnave të përfshira në listën e rimbursimit.

Sipas një raporti auditimi, të cilin e ka konsultuar ekofin.al dhe që i referohet ndjekjes dhe zbatimit të rekomandimeve të lëna nga KLSH në 6-mujorin e dytë të vitit 2024, nga 458 barna të kontrolluara për vitin 2023, 43 nuk rezultonin të pajisura me autorizim tregtimi dhe nuk figuronin në regjistrin e barnave për atë vit.

Në një verifikim tjetër, KLSH-ja konstatoi edhe 46 barna të autorizuara për tregtim, por që nuk rezultonin të ishin importuar në Shqipëri gjatë vitit 2023.

Gjetjet nxjerrin në pah dobësi në kontrollin e një liste që lidhet drejtpërdrejt me barnat që rimbursohen për pacientët.

Për 43 barnat pa autorizim tregtimi, KLSH-ja konstaton se institucionet nuk kishin qenë efektive në verifikimin nëse barnat e vendosura si alternativë e parë në listën e rimbursimit ishin realisht të pajisura me autorizim tregtimi dhe të regjistruara. Auditimi e lidh këtë problem me mungesën e koordinimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, institucioneve të varësisë dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Problemi i dytë ishte i një natyre tjetër. Për 46 barna, çështja nuk ishte mungesa e autorizimit, por fakti që ato, megjithëse figuronin të autorizuara për tregtim, nuk rezultonin të importuara gjatë vitit 2023. Sipas KLSH-së, kjo tregon verifikim të dobët të qarkullimit real të barnave nga ana e AKBPM-së, veçanërisht për produkte që qëndrojnë në listat zyrtare, por nuk hyjnë në treg për periudha të gjata.

Ky auditim i KLSH nxjerr në pah edhe njëherë problemet me listën e barnave me rimbursim. Nëse një bar figuron si alternativë e parë, por nuk ka autorizim tregtimi ose nuk qarkullon realisht në vend, krijohet paqartësi për zbatimin praktik të skemës së rimbursimit dhe për aksesin e pacientëve te medikamentet që duhet të jenë të disponueshme.

Konkretisht, auditimi ngre një problem të dyfishtë: një pjesë e barnave të listës së rimbursimit nuk rezultonin të regjistruara siç duhet, ndërsa një pjesë tjetër, edhe pse të autorizuara, nuk rezultonin të kishin hyrë fare në vend. Kjo e vendos fokusin jo vetëm te cilësia e kontrollit administrativ, por edhe te besueshmëria e listës mbi të cilën mbështetet rimbursimi i barnave./ekofin.al