Gjatë historisë së lashtë, në art dhe letërsi në vende të ndryshme të botës shfaqeshin krijesa të çuditshme të njohura si kinokefalë. Ata përshkruheshin si njerëz me kokë qeni dhe u përmendën për herë të parë nga grekët e lashtë, të cilët besonin se jetonin në skajet e botës së qytetëruar dhe komunikonin duke lehur. Por rrëfime për njerëz me tipare qeni u dokumentuan edhe nga Marko Polo dhe eksplorues të tjerë mesjetarë. Madje, këto histori arritën deri në Botën e Re, ku HernánCortés u pyet nëse mund të konfirmonte ekzistencën e tyre gjatë udhëtimeve të tij nëpër Mezoamerikë.
Edhe pse shkenca moderne e ka hedhur poshtë këtë mit, studiuesit ende nuk janë plotësisht të sigurt se çfarë kishin parasysh autorët e lashtë. Ndoshta bëhej fjalë për keqkuptime, ose ndoshta “me kokë qeni” ishte thjesht një mënyrë për të përshkruar njerëz të panjohur e të huaj. Sido që të ketë qenë origjina e tyre, kinokefalët lanë gjurmë të forta në historinë e njerëzimit.
Çfarë ishin këto krijesa me kokë qeni?
Për grekët dhe romakët, tokat e largëta e të panjohura ishin si faqe bosh ku imagjinata mund të krijonte gjithçka, e ushqyer nga rrëfimet fantastike të udhëtarëve trima. Kinokefalët mund të kenë qenë një pasqyrim i kureshtjes së tyre, duke shprehur njëkohësisht mahnitjen dhe frikën ndaj së panjohurës.
Shumica e rrëfimeve pajtoheshin për përshkrimin bazë: kinokefalët kishin trup njeriu, por kokë qeni të madh, dhëmbë të mprehtë për të shqyer mishin e gjallë dhe trup të mbuluar me qime të ashpra. Fytyrat e tyre thuhej se ngjanin me ato të mastifëve, zagarëve dhe çakejve. Sipas rrëfimeve, ata lehnin dhe ulërinin për të komunikuar, përdornin nuhatjen e mprehtë për të gjuajtur prenë, por njëkohësisht përdornin mjete njerëzore, si harqe dhe shtiza, shkëmbenin mallra me njerëzit fqinjë dhe jetonin në komunitete të organizuara.
Kinokefalët në botën e lashtë
Termi “kinokefal” rrjedh nga fjalët e greqishtes së lashtë për “qen” (kynos) dhe “kokë” (kephalos). Një nga rrëfimet më të hershme vjen nga mjeku grek Ktesia, i cili në shekullin V p.e.s. u përpoq të dokumentonte udhëtimet e tij në Indi. Dorëshkrimi i tij, Indica, ka humbur, por referenca të mëvonshme përshkruajnë rrëfimin e tij për disa male në Indi ku jetonin “burra me kokë qeni, të veshur me lëkurë kafshësh të egra”.
Sipas Ktesias, këto krijesa e kuptonin gjuhën indiane, por nuk ishin në gjendje ta flisnin. Në vend të saj, komunikonin përmes lehjeve dhe gjesteve të duarve. Ata mbijetonin duke gjuajtur dhe duke rritur dele, jetonin në shpella dhe ishin luftëtarë të egër.
Edhe autorë të tjerë të njohur të lashtësisë treguan histori të ngjashme. Plini Plaku përshkroi në Historinë Natyrore një fis nomad etiopian, ndërsa Herodoti shkroi për “burra me kokë qeni” që jetonin në perëndim të Libisë. Disa studiues besojnë se këto rrëfime të hershme mund të jenë frymëzuar nga udhëtarë të lashtë që panë babuinë për herë të parë dhe i identifikuan gabimisht. Sidoqoftë, legjenda vazhdoi të jetonte për mijëra vjet.
Legjenda gjatë Mesjetës
Rreth vitit 1000, krijesat me kokë qeni u shfaqën në një vend të papritur: në Kodikune Nouellit, dorëshkrimi që përmban poemën epike Beowulf. Një prej teksteve të tij, Mrekullitë e Lindjes, përshkruan “gjysmëqentë” që jetonin pranë Detit të Kuq.
Më vonë, dy eksplorues të famshëm pretenduan se i kishin parë vetë. Në Udhëtimet e Marko Polos, Polo shkroi se kishte parë hibride njeri-qen në Ishujt Andamanë, duke i përshkruar banorët si njerëz me kokë, dhëmbë dhe sy “si qentë e mëdhenj mastifë”. Gjysmë shekulli më vonë, eksploruesi nga Magrebi Ibn Battuta regjistroi një takim të ngjashëm në një ishull mes Indisë dhe Sumatrës. Ai shkroi për njerëz, “gojët e të cilëve kanë formën e gojës së qenve”.
Me shumë gjasë, këta udhëtarë i ekzagjeruan tiparet e fiseve vendase. Battuta ndoshta po përshkruante popullin Mentavai, i njohur për praktikën e mprehjes së dhëmbëve. Kjo vazhdonte traditën e lashtë të përdorimit të përshkrimit “me kokë qeni” për popujt jo-perëndimorë që konsideroheshin “të paqytetëruar”.
Traditat e krishtera mesjetare i shtuan një tjetër dimension kësaj legjende. Një tregim pretendonte se Shën Kristofori, shenjtori mbrojtës i udhëtarëve, kishte kokë qeni përpara se të konvertohej në krishterim. Disa studiues besojnë se kjo histori lindi nga një gabim i thjeshtë i një kopisti: një shkrimtar mesjetar ngatërroi fjalën latine për “kananit” (Cananeus) me fjalën “qenor” (caninus).
A ekzistuan vërtet kinokefalët?
Miti vazhdoi të jetonte deri në shekullin XVI. Kur Hernán Cortés u nis për të kolonizuar Meksikën dhe Amerikën Qendrore, guvernatori i Kubës i kërkoi të hetonte zërat për njerëz me “veshë të mëdhenj” dhe “fytyra qensh”. Cortési nuk i gjeti kurrë.
Ndërsa Epoka e Zbulimeve përparonte, brigjet hartoheshin dhe pyjet e largëta eksploroheshin, u bë gjithnjë e më e qartë se kinokefalët nuk ekzistonin askund në Tokë. Sot, studiuesit përgjithësisht pajtohen se përshkrimet e lashta dhe mesjetare ishin mënyra për të paraqitur njerëzit e panjohur, një formë për t’i cilësuar si “të tjerë” ata që ndodheshin jashtë kufijve të qytetërimit të njohur.

Megjithatë, këto histori ishin aq tërheqëse saqë hibridët njeri-qen kanë vazhduar të shfaqen edhe në kulturën moderne, nga librat komikë te videolojërat. Dhe meqë ende ekzistojnë cepa të vegjël të Tokës që nuk janë eksploruar plotësisht, ndoshta kjo legjendë nuk është mbyllur krejtësisht.







