Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të zgjerojnë operacionet kundër trafikut të drogës në Amerikën Latine, duke përfshirë edhe operacione tokësore të zhvilluara së bashku me aleatët e tyre në rajon.
Lajmi u bë i ditur nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë vizitës së tij në Panama. Sipas tij, Uashingtoni synon të krijojë së shpejti, në bashkëpunim me vendet partnere, kapacitete operacionale të ngjashme me ato të përdorura në sulmet kundër motoskafeve që SHBA-ja pretendon se janë përfshirë në trafikun e drogës në Karaibe dhe në Oqeanin Paqësor.
“Mburoja e Amerikave”, një aleancë e udhëhequr nga administrata e Donald Trump, ka si objektiv të deklaruar luftën kundër trafikut të drogës dhe përfshin rreth 20 vende të Amerikës Latine dhe Karaibeve.
Hegseth tha se SHBA-ja po punon me vende si Ekuadori dhe Kolumbia për të luftuar në terren organizatat që Uashingtoni i ka klasifikuar si organizata terroriste.
“Kudo që trafikoni drogë ose kërcënoni popullin amerikan apo partnerët tanë, do të jeni në shënjestër”, deklaroi kreu i Pentagonit, duke iu drejtuar karteleve të drogës.
Në aleancë bëjnë pjesë edhe Argjentina, Bolivia, Kili, Hondurasi dhe Peruja. Meksika, e drejtuar nga presidentja Claudia Sheinbaum, nuk është pjesë e kësaj nisme.
Që prej shtatorit 2025, forcat amerikane kanë zhvilluar një fushatë sulmesh kundër motoskafeve në Detin e Karaibeve dhe në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor, të cilat Uashingtoni pretendon se përdoren për trafik droge.
Sipas të dhënave të cituara në raportime, të paktën 215 persona janë vrarë gjatë këtyre operacioneve.
Administrata Trump nuk ka bërë publike prova që të vërtetojnë se të gjitha anijet e goditura po transportonin drogë ose po kryenin aktivitete të paligjshme.
Operacionet amerikane kanë shkaktuar reagime dhe kritika nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, të cilët kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e përdorimit të forcës ushtarake kundër personave që, sipas tyre, nuk përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara.







