Ballina Bota U fsheh për më shumë se 14 orë në dollapin e konviktit,...

U fsheh për më shumë se 14 orë në dollapin e konviktit, arrestohet i dyshuari për të shtënat në Universitetin e Virxhinias

77
0

Pas më shumë se 14 orësh në arrati, policia ka arrestuar 19-vjeçarin e dyshuar për të shtënat në Universitetin Shtetëror të Virxhinias, ku u plagosën pesë persona. Camron Harris u gjet i fshehur në një dollap në një prej konvikteve të kampusit.

Sipas The Guardian, Harris u gjet rreth orës 16:00 të së shtunës në Seward Hall, në kampusin e universitetit. Sipas autoriteteve, të shtënat kishin ndodhur rreth orës 01:30, pranë konvikteve të universitetit.

19-vjeçari, banues në Henrico të Virxhinias, nuk është student i universitetit. Pas arrestimit, ai u dërgua në burgun e qarkut Chesterfield, ku po mbahet pa mundësi lirimi me kusht.

Ndaj Harris janë lëshuar tetë urdhër-arreste penale: katër për plagosje të qëllimshme dhe katër për përdorim të armës së zjarrit gjatë kryerjes së një krimi. Policia ka bërë të ditur se ndaj tij mund të ngrihen edhe akuza të tjera.

Të shtënat ndodhën në orët e para të së shtunës, kur policia gjeti pesë persona me plagë armësh jashtë konvikteve të kampusit. Të plagosurit u dërguan në spitalet lokale, ndërsa një prej tyre mbeti në gjendje kritike. Katër të tjerët pësuan plagë që nuk rrezikojnë jetën.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur motivin e mundshëm të ngjarjes. Fillimisht universiteti njoftoi se mund të ishin përfshirë disa të dyshuar dhe kampusi u vendos përkohësisht në izolim. Më vonë, autoritetet thanë se nuk kishte më kërcënim të menjëhershëm për komunitetin universitar.

Hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë vijojnë.