Ballina Aktualitet Aksidentet, vetëm Tirana mbulohet nga numri 112, duhen 11.6 milionë euro për...

Aksidentet, vetëm Tirana mbulohet nga numri 112, duhen 11.6 milionë euro për shtrirjen e sistemit në vend

93
0

Vetëm Tirana mbulohet aktualisht nga numri i unifikuar i emergjencave 112, ndërsa banorët e 60 bashkive të tjera duhet të përdorin ende numra të ndryshëm për policinë, ambulancën dhe zjarrfikësit. Shtrirja e sistemit në të gjithë vendin dhe aktivizimi i teknologjive për lokalizimin e telefonuesve dhe njoftimin automatik të aksidenteve kërkojnë një investim të vlerësuar në 11.6 milionë euro.

Sipas udhërrëfyesit të Komunitetit të Transportit për zbatimin e 112 dhe eCall në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ka vetëm një qendër funksionale, në Tiranë, ku shërbimi vepron prej vitit 2016. Numri europian i emergjencave mbulon kështu vetëm një nga 61 bashkitë. Jashtë kryeqytetit përdoren ende numrat 126, 127, 128 dhe 129, duke krijuar, sipas raportit, një sistem me dy nivele dhe vështirësi të veçanta për turistët që nuk i njohin numrat kombëtarë.

Shqipëria nuk ka një platformë të integruar që të lidhë policinë, ambulancën dhe zjarrfikësit, ndërsa mungon edhe sistemi AML, i cili dërgon automatikisht koordinatat GPS të telefonuesit. Për pasojë, ekipet e emergjencës nuk e marrin automatikisht vendndodhjen e saktë, një mangësi që mund të vonojë ndërhyrjen kur aksidenti ndodh në zona të largëta ose telefonuesi nuk mund të shpjegojë vendin ku ndodhet.

Sipas raportit, nuk funksionon as eCall, teknologjia që pas një aksidenti të rëndë telefonon automatikisht 112 dhe transmeton vendndodhjen, orën e përplasjes, identifikimin e automjetit dhe drejtimin e lëvizjes. Aktivizimi kërkon pajisjen e qendrave me modemë dhe programe të posaçme, si dhe trajnimin e operatorëve për përpunimin e të dhënave të dërguara nga automjetet.

Komuniteti i Transportit ka përllogaritur edhe kostot që do t’i duheshin Shqipërisë për një sistem që mbulon gjithë territorin. Nga kostoja e përgjithshme prej 11.6 milionë eurosh, rreth 10.5 milionë euro parashikohen për punime, pajisje dhe sisteme teknologjike, ndërsa 1.1 milionë euro për asistencë teknike. Për periudhën 2026–2027 nevojiten 3.15 milionë euro, nga të cilat 2.8 milionë euro për pajisje dhe infrastrukturë dhe 350 mijë euro për asistencë. Për vitin 2028 parashikohen 4.95 milionë euro, ndërsa për fazën pas vitit 2028 edhe 3.5 milionë euro.

Në fazën e parë propozohet ngritja e tri ose katër qendrave rajonale në Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Korçë, të lidhura me Tiranën në një platformë të përbashkët. Raporti rekomandon gjithashtu rekrutimin dhe trajnimin e 80–100 operatorëve të rinj, me njohuri të anglishtes, greqishtes dhe italishtes për zonat turistike, si dhe krijimin e një akademie trajnimi pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Qendrat rajonale pritet ta çojnë mbulimin në rreth 60% të popullsisë deri në fund të vitit 2028. Mbulimi i të gjitha 61 bashkive, funksionimi 24 orë në ditë dhe kalimi i telefonatave nga numrat ekzistues drejt 112 vendosen në fazën afatgjatë./ekofin.al