Nga Eduard Gashi
Sot, më 18 gusht, Kisha përkujton Shën Florin dhe Shën Laurin, dy prej figurave më të hershme të krishterimit që tradita kishtare i lidh drejtpërdrejt me Ulpianën e Dardanisë, në territorin e Kosovës së sotme.
Pikërisht me rastin e festës së tyre dua t’i rikthej këta dy martirë në kujtesën tonë, por njëkohësisht ta marr këtë ditë si një rast për të parë përtej jetës së dy shenjtorëve dhe për të shkruar për një histori shumë më të gjerë: historinë e lashtë të krishterimit në Dardani dhe në Kosovën e sotme.
Shën Flori dhe Shën Lauri, sipas traditës së hershme të krishterë, ishin vëllezër binjakë, mjeshtër gurgdhendës dhe skulptorë, të cilët jetuan në kohën e perandorit Hadrian, në shekullin II pas Krishtit. Tradita i vendos në Ulpianën e Dardanisë, ku ata punuan si mjeshtër dhe njëkohësisht dëshmuan fenë e tyre në Krishtin.
Sipas rrëfimit hagiografik, atyre iu besua puna në ndërtimin e një tempulli pagan. Pas përfundimit të tij, Flori dhe Lauri, së bashku me të krishterë të tjerë, larguan idhujt paganë dhe vendosën në tempull shenjën e Kryqit. Për shkak të këtij akti dhe refuzimit për ta mohuar fenë e tyre, u dënuan me vdekje dhe, sipas traditës, u hodhën të gjallë në një pus të thellë.
Pikërisht për këtë arsye Kisha i nderon si martirë të Krishtit.
Pra, nuk kemi të bëjmë vetëm me dy emra në një kalendar liturgjik. Kemi të bëjmë me dy dëshmitarë të një epoke në të cilën krishterimi kishte filluar të zinte rrënjë në Dardani shumë herët.
Dhe këtu fillon historia më e madhe.
Dardania – një nga vatrat e hershme të krishterimit në Evropë
Kur flasim për historinë e Kosovës, bëjmë një gabim të madh nëse e fillojmë atë vetëm me shekujt e fundit.
Kosova nuk ka lindur dje.
Nën tokën ku ecim sot gjenden shtresa të një historie mijëravjeçare: qytete dardane dhe romake, rrugë antike, mbishkrime latine, bazilika, pagëzimore, varreza të hershme të krishtera, kryqe dhe gjurmë të një organizimi të zhvilluar kishtar.
Në këtë kuptim, Dardania antike, zemrën e së cilës e përbënte edhe territori i Kosovës së sotme, duhet të shihet si një nga hapësirat e hershme të zhvillimit të krishterimit në Evropën Juglindore.
Jo si djepi i vetëm i krishterimit – sepse krishterimi lindi në Tokën e Shenjtë dhe u përhap herët në shumë pjesë të Perandorisë Romake – por si një nga trevat ku ai zuri rrënjë shumë herët dhe ku më vonë u zhvillua një strukturë e fuqishme kishtare.
Shën Flori dhe Shën Lauri janë pjesë e kësaj historie.
Por ata nuk janë të vetmit.
Kombet moderne nuk ekzistonin – por historia e tyre po formohej
Kur flasim për Dardaninë antike, duhet të jemi historikisht seriozë.
Në shekullin II, IV apo VI nuk ekzistonin kombet moderne në formën që i njohim sot.
Nuk kishte shtet shqiptar, serb, kroat, grek apo bullgar sipas kuptimit bashkëkohor.
Por kjo nuk do të thotë aspak se ajo që ndodhte atëherë nuk kishte ndikim në formimin e mëvonshëm të popujve dhe të identiteteve të tyre.
Kombet nuk lindin nga asgjëja.
Ato formohen përmes shekujve.
Territori, gjuha, kultura, feja, kujtesa historike, zakonet, organizimi shoqëror dhe përvojat e përbashkëta ndërtojnë gradualisht identitetet.
Prandaj historia e Dardanisë nuk është një histori pa vazhdimësi.
Ajo është një nga shtresat mbi të cilat, gjatë shumë shekujve, u zhvilluan edhe identitetet e mëvonshme të popujve të kësaj hapësire, përfshirë edhe identitetin kulturor dhe historik të shqiptarëve.
Nuk është e nevojshme që një figurë e shekullit IV të quhet “shqiptar” sipas kuptimit të sotëm që ajo të jetë pjesë e historisë së gjatë të hapësirës nga e cila më vonë u formësua populli shqiptar.
Kjo është dallimi ndërmjet historisë dhe propagandës.
Historia kërkon vazhdimësi, por nuk shpik etiketa moderne për njerëzit e Antikitetit.
Ulpiana – qyteti i martirëve dhe i ipeshkvijve
Pak kilometra larg Prishtinës së sotme ndodhet një nga argumentet më të fuqishme për lashtësinë e krishterimit në Kosovë:
Ulpiana.
Sot shohim rrënojat e saj.
Por në Antikitet Ulpiana ishte një qytet i rëndësishëm, i lidhur me rrugët kryesore të rajonit dhe me administratën romake.
Me kalimin e kohës ajo u bë edhe një qendër e rëndësishme e krishterimit.
Bazilikat, pagëzimoret, mbishkrimet dhe dëshmitë për organizimin kishtar tregojnë se këtu nuk kemi të bëjmë me disa të krishterë të izoluar.
Këtu ekzistonte një bashkësi e organizuar.
Në shekullin IV përmendet edhe ipeshkvi i Ulpianës, çka dëshmon se qyteti ishte bërë pjesë e strukturës institucionale të Kishës së hershme.
Një seli ipeshkvore nënkuptonte shumë më tepër se praninë e disa besimtarëve.
Ajo nënkuptonte kler, liturgji, pagëzime, bashkësi të strukturuara dhe lidhje me qendrat e tjera të Kishës.
Prandaj Ulpiana duhet parë jo vetëm si qytet romak.
Ajo ishte edhe qytet i krishterë.
Dardania ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit
Pozita gjeografike e Dardanisë ishte jashtëzakonisht e rëndësishme.
Ajo ndodhej në hapësirën ku takoheshin bota latine dhe ajo greke, Roma dhe Konstantinopoja, Perëndimi dhe Lindja e Perandorisë.
Kjo e bënte Dardaninë jo një periferi të harruar, por një urë qytetërimesh.
Kultura romake, trashëgimia vendore dardane, krishterimi dhe ndikimet e Lindjes e të Perëndimit u ndërthurën këtu për shekuj.
Dhe pikërisht nga ky rajon më i gjerë ballkanik do të dilnin figura që do të ndikonin jo vetëm historinë vendore, por historinë e gjithë krishterimit.
Konstandini i Madh – perandori që ndryshoi pozitën e krishterimit
Një prej tyre ishte Konstandini i Madh.
Ai lindi në Naissus, Nishin e sotëm, në hapësirën e Ballkanit qendror që në Antikitet ishte e lidhur ngushtë me botën dardane.
Duhet të jemi përsëri të saktë: kufijtë administrativë të provincave romake ndryshuan disa herë gjatë shekujve dhe nuk mund të projektohen mbi hartat e shteteve të sotme.
Por Konstandini ishte pa dyshim bir i kësaj bote ballkanike romake.
Rëndësia e tij për historinë e krishterimit është e jashtëzakonshme.
Në vitin 313, Konstandini dhe Licini i dhanë fund politikës së persekutimit shtetëror ndaj të krishterëve dhe garantuan lirinë e ushtrimit të fesë.
Në vitin 325, gjatë sundimit të tij, u mblodh Koncili i Nikesë, një nga ngjarjet më përcaktuese në historinë e krishterimit.
Pra, nga hapësira ballkanike e lidhur me Dardaninë doli perandori që ndryshoi rrënjësisht marrëdhënien ndërmjet Perandorisë Romake dhe krishterimit.
Shën Niketa – dhe jehona e “Te Deum”-it
Një tjetër figurë e madhe e kësaj bote të krishterë ballkanike është Shën Niketa i Remesianës.
Ai jetoi në fund të shekullit IV dhe në fillim të shekullit V dhe ishte ipeshkëv, teolog dhe misionar.
Remesiana nuk ishte pjesë e Dardanisë në kuptimin e ngushtë administrativ, por ndodhej në të njëjtën hapësirë të gjerë kulturore të Ballkanit latin dhe shumë pranë saj.
Shën Niketa është veçanërisht interesant sepse një traditë e rëndësishme studimore ia atribuon atij autorësinë e një prej himneve më të famshme të gjithë krishterimit:
Te Deum laudamus – Ty, o Hyj, të lavdërojmë.
Autorësia nuk është e provuar përfundimisht dhe shkenca vazhdon ta diskutojë atë.
Por fakti që Niketa konsiderohet një nga kandidatët kryesorë për autorësinë e këtij himni është në vetvete domethënës.
“Te Deum” është kënduar për shekuj në kishat dhe katedralet e Evropës.
Një nga himnet që shoqëroi historinë shpirtërore të kontinentit mund të ketë lindur pikërisht në këtë mjedis të krishterë ballkanik.
Shën Jeronimi – nga bota iliro-dalmatine te Bibla e Evropës Perëndimore
Dhe nëse e zgjerojmë vështrimin nga Dardania drejt hapësirës më të gjerë iliro-ballkanike, atëherë është e pamundur të mos përmendim një nga figurat më të mëdha të krishterimit perëndimor:
Shën Jeronimin – Hieronymusin.
Ai nuk ishte dardan.
Por ai lindi në Stridon, në kufirin ndërmjet provincave romake të Dalmacisë dhe Panonisë, pra në hapësirën e gjerë iliro-dalmatine të Ballkanit perëndimor.
Edhe këtu duhet shmangur tundimi për t’i vendosur një etiketë kombëtare moderne.
Nuk mund ta quajmë në mënyrë serioze as kroat, as slloven, as shqiptar sipas konceptit të sotëm të kombësisë.
Ai jetoi shumë shekuj përpara formimit të këtyre kombeve moderne.
Por mund të themi me siguri se doli nga bota romake e Ballkanit perëndimor, nga një territor që në Antikitet lidhej ngushtë me hapësirën ilire.
Dhe ndikimi i tij mbi Evropën është pothuajse i pakrahasueshëm.
Shën Jeronimi ishte një prej Etërve të mëdhenj të Kishës Latine dhe njeriu që lidhet mbi të gjitha me përkthimin dhe rishikimin e Shkrimit Shenjt në latinisht.
Nga puna e tij u formësua ajo që më vonë u njoh si Vulgata.
Për më shumë se një mijë vjet, Vulgata ishte teksti themelor biblik i krishterimit latin.
Mbi të u predikua.
Mbi të u studiua teologjia.
Nga ajo u ushqyen manastiret.
Ajo ndikoi letërsinë, filozofinë, artin, muzikën dhe gjuhët e Evropës.
Pra, një njeri i lindur në hapësirën iliro-ballkanike u bë një nga arkitektët shpirtërorë dhe kulturorë të Evropës së krishterë.
Kjo është arsyeja pse Shën Jeronimi duhet përmendur kur flasim për kontributin e kësaj hapësire në qytetërimin evropian.
Nga Dardania te Dalmacia, kjo pjesë e Ballkanit nuk ishte skaji i botës së krishterë.
Ajo ishte një prej hapësirave që prodhoi mendimtarë, shenjtorë, ipeshkvij dhe figura që ndërtuan vetë kulturën e Evropës.
Justiniani i Madh – perandori i lindur në Dardani
Në rastin e Justinianit të Madh, lidhja me Dardaninë është edhe më e drejtpërdrejtë.
Justiniani lindi në Tauresium, në provincën romake të Dardanisë.
Ai u bë një nga perandorët më të rëndësishëm të Antikitetit të vonë.
Emri i tij lidhet me kodifikimin monumental të së drejtës romake, me rindërtimin e Perandorisë dhe me disa nga monumentet më të njohura të botës së krishterë.
Por Justiniani nuk e harroi vendin e prejardhjes së tij.
Ulpiana u rindërtua gjatë periudhës së tij dhe mori emrin Justiniana Secunda.
Pra, kemi një lidhje historike jashtëzakonisht interesante:
martirët e hershëm të Ulpianës,
ipeshkvinë e Ulpianës,
Konstandinin nga hapësira e gjerë dardano-ballkanike,
Niketan në botën latine përreth saj,
Jeronimin nga hapësira iliro-dalmatine,
dhe më pas Justinianin, të lindur drejtpërdrejt në provincën e Dardanisë.
Kjo nuk është një histori e një cepi të izoluar të Evropës.
Kjo është histori evropiane.
Krishterimi dhe formimi i mëvonshëm i identitetit shqiptar
Pikërisht këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm.
Nuk duhet ta përvetësojmë Antikitetin me kategori politike moderne.
Por as nuk duhet të sillemi sikur Antikiteti nuk ka asnjë lidhje me popujt që u formuan më vonë.
Popujt trashëgojnë.
Trashëgojnë territore.
Trashëgojnë gjuhë dhe fjalë.
Trashëgojnë toponime.
Trashëgojnë kujtesë.
Trashëgojnë fe.
Trashëgojnë mënyra të organizimit shoqëror.
Trashëgojnë elemente të kulturave të mëparshme dhe i shndërrojnë ato në diçka të re.
Kështu u formuan edhe shqiptarët gjatë një procesi të gjatë historik.
Prandaj historia e krishterimit të Dardanisë dhe e hapësirës së lashtë ilire duhet parë edhe si një prej shtresave të historisë kulturore nga e cila, gjatë shekujve, u zhvillua edhe identiteti shqiptar.
Kjo nuk do të thotë se çdo dardan duhet shpallur shqiptar i sotëm.
Por do të ishte po aq e gabuar të ndërpritej artificialisht çdo lidhje midis historisë së Dardanisë dhe historisë së popullsive që vazhduan të jetojnë në këtë territor.
Historia nuk është një seri dhomash të mbyllura.
Ajo është vazhdimësi, ndërthurje dhe transformim.
Para shumë shteteve moderne këtu kishte bazilika
Ndonjëherë duhet vetëm të ndryshojmë perspektivën.
Para shumë shteteve moderne të Evropës, në Dardani kishte bazilika të krishtera.
Kishte pagëzimore.
Kishte ipeshkvij.
Kishte martirë.
Kishte bashkësi që kremtonin fenë e krishterë.
Në Ulpianë njerëzit pagëzoheshin shumë shekuj përpara se të ekzistonin shumica e strukturave shtetërore që sot përcaktojnë hartën politike të Ballkanit.
Kjo nuk është një tezë kundër askujt.
Nuk është kundër myslimanëve.
Nuk është kundër ortodoksëve.
Nuk është kundër serbëve, grekëve apo popujve të tjerë.
Historia e lashtë nuk duhet përdorur për të krijuar armiqësi të reja.
Por ajo nuk duhet as të mohohet për hir të komoditetit politik.
Trashëgimia e krishterë e Dardanisë është pjesë e trashëgimisë së Kosovës.
Dhe, përmes historisë së gjatë të këtij territori, ajo është edhe një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Kosova nuk mund ta fillojë historinë e saj në shekullin XX
Shumë shpesh historia e Kosovës në diskursin publik fillon me Perandorinë Osmane, me shekullin XIX, me Jugosllavinë apo me luftën e fundit.
Por Kosova ka mijëra vjet histori përpara tyre.
Para Prishtinës ishte Ulpiana.
Para kufijve të sotëm ishte Dardania.
Para ndarjeve fetare të sotme kishte bashkësi të krishtera që luteshin dhe pagëzonin në këtë tokë.
Para shumë kryeqyteteve të Evropës së sotme këtu kishte qytete dhe seli ipeshkvore.
Në këtë hapësirë u martirizuan Flori dhe Lauri.
Në botën dardano-ballkanike lindi Konstandini.
Në Dardani lindi Justiniani.
Në hapësirën iliro-dalmatine lindi Shën Jeronimi.
Në botën latine të Ballkanit veproi Shën Niketa.
Kjo trashëgimi duhet të njihet.
Jo për të ndërtuar mite.
Por pikërisht për të mos pasur nevojë për mite.
Sepse faktet janë mjaft të mëdha.
Dardania Sacra
Prandaj festa e sotme e Shën Florit dhe Shën Laurit duhet të jetë më shumë se një shënim në kalendarin kishtar.
Ajo është një ftesë për kujtesë.
Ata na çojnë drejt Ulpianës.
Ulpiana na çon drejt Dardanisë.
Dardania na çon drejt një bote të krishterë që ishte pjesë e formimit të Evropës.
Dhe kur vështrimin e zgjerojmë drejt gjithë hapësirës së lashtë ilire dhe ballkanike, para nesh shfaqet një peizazh i jashtëzakonshëm:
martirët Flori dhe Lauri,
Ipeshkvite e Ulpianës,
Konstandini i Madh,
Shën Niketa,
Shën Jeronimi,
Justiniani i Madh,
dhe më vonë një traditë e krishterë ndër shqiptarë që, pas shumë shekujsh, do t’i japë botës edhe Shën Nënë Terezën.
Nuk kemi nevojë t’i bëjmë të gjithë këta njerëz pjesëtarë të një kombi modern.
Rëndësia e tyre është shumë më e madhe se kaq.
Ajo që duhet të kuptojmë është se hapësira jonë ishte pjesëmarrëse në lindjen dhe formimin e qytetërimit të krishterë evropian.
Dhe pikërisht kjo trashëgimi ndikoi për shekuj në kulturën e popujve që jetuan këtu dhe, në mënyrë të pashmangshme, edhe në zhvillimin e identitetit kulturor të shqiptarëve.
Në gurët e Ulpianës nuk qëndron vetëm një qytet i vdekur.
Aty është një pjesë e kujtesës sonë.
Një pjesë e historisë së Kosovës.
Një pjesë e historisë shqiptare.
Dhe një pjesë e historisë së Evropës.
Dardania Sacra – Dardania e Shenjtë.
Sot, në festën e Shën Florit dhe Shën Laurit, ia vlen ta kujtojmë:
rrënjët tona evropiane janë shumë më të thella se kufijtë e sotëm, ndërsa rrënjët e krishterimit në tokën e Dardanisë janë shumë më të lashta se sa shpesh e kujtojmë.







