Ballina Aktualitet Shteti i mbrapshtë që nuk ka një qendër djegiesh dhe që merr...

Shteti i mbrapshtë që nuk ka një qendër djegiesh dhe që merr përsipër dëmet e hoteleve private

183
0

Albana Koçiu u nis për në aeroport sot me udhëtim zyrtar. Zëvendëskryeministrja shoqëroi në Rinas pacienten 25 vjeçare, e cila dy ditë më parë pësoi djegie në rreth 85 për qind të sipërfaqes së trupit, si pasojë e zjarrit të rënë në hotelin Brooklyn në Vlorë.

Ministria e Shëndetësisë shpërndau një njoftim zyrtar, ku trumbetonte se pacientja do të dërgohet për mjekim të specializuar në Turqi dhe se shpenzimet do të paguhen nga qeveria.

Pa asnjë medyshje, jeta dhe kurimi i pacientëve të dëmtuar nga zjarri në hotel, duhet të jetë prioriteti absolut. Por ky njoftim është një njollë e madhe turpi për vetë qeverinë dhe ministrinë e Shëndetësisë.

Gjithë ky shtet nuk ka arritur të ndërtojë një qendër për të trajtuar djegiet. Dhe ndërtimi i një qendre kombëtare për djegiet është një gjë shumë strategjike, që duhet ta ketë çdo shërbim shëndetësor publik.

Së dyti, marrja përsipër e shpenzimeve nga qeveria është një tjetër mbrapshtësi, e qeverisë që qeveris për t’u dukur dhe jo për të qenë. Jeta e pacientëve u rrezikua nga hoteli privat, ndaj nuk kanë pse për dëmin e shkaktuar nga hoteli privat të paguajnë taksapaguesit.

Ky nuk është cinizëm. Pagimi i shpenzimeve nga hoteli për të trajtuar pacientët që dëmtoi është kompesimi më minimal dhe më i padiskutueshëm. Paralelisht strukturat e shtetit duhet të nxjerrin përgjegjësinë penale nëse ka, ndërsa gjykata duhet të nxjerrin përgjegjësinë financiare përtej kurimit.

Ata njerëz duhet të marrin deri në qindarkën e fundit,  kompesimin për dëmin afatgjatë që u është bërë. Por jo nga shteti. Nga privati që rrezikoi t’i vrasë.

Një shtet normal funksionon kështu. Ndërsa shëndetësia shqiptare funksionon mbrapsht. Problemi është se as Evisi, as Albana dhe as Edvini nuk e kuptojnë se sa mbrapsht janë./Kapitali