Ballina Politika Harta e re territoriale/ Maliq, socialistët braktisin qytetarët, i moshuari i hakërrehet...

Harta e re territoriale/ Maliq, socialistët braktisin qytetarët, i moshuari i hakërrehet kryetarit të këshillit. Kush e shantazhoi Gëzim Topçiun që shiti banorët e Maliqit?

42
0

Vetëm dy ditë më parë, kryebashkiaku socialist i Maliqit, Gëzim Topçiu, shprehej publikisht kundër bashkimit të Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë dhe deklaronte se reforma territoriale nuk mund të gjykohej me një “po” ose “jo”. Sot, këshilltarët socialistë braktisën mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke penguar marrjen e një vendimi zyrtar që do t’i përcillej Kuvendit të Shqipërisë.

Një kthesë e fortë ka ndodhur në vetëm 48 orë në qëndrimin e mazhorancës socialiste në Bashkinë Maliq për reformën e re administrativo-territoriale.

“Ende unë jam i paqartë për atë çfarë do të ndodhë”, deklaronte Topçiu, duke shtuar se problematikat ishin të gjera dhe se çështja nuk mund të trajtohej thjesht me një “po” ose “jo”.

Kryebashkiaku socialist shkonte edhe më tej, duke treguar qëndrimin e tij të mëparshëm për bashkimin e Maliqit.

“Unë patjetër që kam qenë kundra shkrirjes apo bashkimit të bashkisë”, deklaronte Topçiu, duke bërë dallimin mes termave “shkrirje” dhe “bashkim”.

Ai argumentonte se në qendër të diskutimit nuk duhej të ishte karrigia e kryetarit të bashkisë, por interesi i qytetarëve: sa do të afrohen shërbimet, sa më lehtë do të zgjidhen problemet e banorëve dhe sa investime do të marrë Maliqi.

Topçiu deklaronte gjithashtu se ishte duke përgatitur një material me qëndrimin e tij për t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë.

Socialistët kanë braktisur mbledhjen e këshillit bashkiak të Maliqit të thirrur nga opozita.

Në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar të këshillit bashkiak Maliq për tja përcjellë kuvendit të Shqipërisë në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes administrativo territoriale.

Mbledhja ishte njoftuar të zhvillohej rreth orës 10:00 por për shkak të deklaratës së grupit të këshilltarëve të majtë ku thanë për të mos u shprehur me vendimmarrje në lidhje me propozimin që duhet t’i dërgohet parlamentit, kryetari i këshillit ka deklaruar mbylljen e mbledhjes dhe kjo ka shkaktuar reagime nga këshilltarët e opozitës dhe qytetarët.

‘Po luani me qytetarët’ dëgjohet të thotë një grua. Ndërkohë një qytetar i moshuar këmbëngul dhe kërcënon me shkop kryetarin e këshillit bashkiak që të mos largohet por të vijojë mbledhjen. Salla u boshatis nga këshilltarët e majtë brenda disa sekondash, ndërkohë që pjesa tjetër e opozitës vijon me deklaratat. Mbledhja zgjati rreth 20 minuta.