Ballina Kulturë Turistët po zgjedhin historinë, 824 mijë vizitorë në monumente, muze dhe parqe...

Turistët po zgjedhin historinë, 824 mijë vizitorë në monumente, muze dhe parqe arkeologjike! Gjirokastra dhe Butrinti mbeten destinacionet më të vizituara

40
0

Turistët po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje trashëgimisë kulturore shqiptare. Gjatë periudhës janar-korrik 2026, monumentet, muzetë dhe parqet arkeologjike në vend u vizituan nga 824.340 persona, vendas dhe të huaj, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e fundit.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, numri i vizitorëve është 80% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023. Krahasuar me vitin 2024, rritja është 26,4%, ndërsa në raport me vitin 2025 është 6,3%.

Edhe këtë vit, Kalaja e Gjirokastrës dhe Parku Kombëtar i Butrintit mbajnë vendin e parë si destinacionet më të vizituara të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Kalaja e Gjirokastrës regjistroi 161.274 vizitorë, ndërsa Butrinti u vizitua nga 158.612 persona.

Në listën e destinacioneve më të frekuentuara renditen edhe Parku Arkeologjik i Shkodrës me 108.150 vizitorë, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë me 84.177 vizitorë, Parku Arkeologjik i Apolonisë me 77.402 vizitorë dhe Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” me 57.372 vizitorë.