Ballina Opinion Nga koncepti i Kombit te civilizimi, e në fund te doktrina Politike:...

Nga koncepti i Kombit te civilizimi, e në fund te doktrina Politike: Tre zgjedhjet e së djathtës shqiptare

38
0

Nga Sidi Hasanaj

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Shqipëria po hyn në një nga ato momente historike, ku politika nuk mund të reduktohet më në pyetjen se kush do të fitojë zgjedhjet e ardhshme, por më e rëndësishme është çfarë Shqipërie do të ndërtojmë pas këtij cikli politik dhe në cilin model qytetërues do të zgjedhim të jetojmë?

Ajo që po ndodh brenda vendit dhe ajo që po ndodh përreth nesh, e bëjnë këtë një moment decisiv për drejtimin e Shqipërisë.

Kriza e brendshme

Brenda vendit kemi konsumimin e një cikli të gjatë tranzicioni të gjithë klasës politike. Partia Demokratike ka kaluar nëpër konflikte, ndarje, fragmentarizim dhe përplasje të brendshme, ndërsa interesat personale, pazaret dhe llogaritë e vogla kanë zëvendësuar shumë herë debatin, mbi atë se çfarë duhet të jetë opozita kryesore e vendit.

Ndërkohë, Partia Socialiste e Edi Ramës ka arritur një dominim politik të paprecedentë dhe ka hyrë në fazën e mandatit të katërt, duke përqendruar pushtetin drejt asaj që mund të quhet një quasi-autokraci, në një kohë kur Shqipëria po avancon drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Por fasada e këtij dominimi është goditur fort. Goditjet e SPAK-ut, burgosja e Erion Veliajt, hetimet ndaj figurave të rëndësishme të qeverisë të lidhura me skandalet më të mëdha të korrupsionit si Belinda Balluku dhe shpërthimi i protestave të “Flamingo Revolucion”, kanë krijuar një situatë ku sistemi politik shqiptar duket se ka hyrë në një fazë të re rrënimi, dhe është çështje kohe sa të rrëzohet nga piedestali i pushtetit.

Por kjo nuk është thjesht një krizë qeverie, madje as vetëm një krizë sistemi. Është një krizë që prek njëkohësisht modelin ekonomik, modelin institucional, kulturën politike, marrëdhënien me fenë dhe orientimin e Shqipërisë në botën e re që po formohet, një botë me dy pole kryesore: Lindje dhe Perëndim.

Protesta dhe konsumimi i njëkohshëm i modeleve politike të PS-së dhe PD-së, kanë krijuar një vakum politik të pahasur më parë. Të gjithë diskutojmë se kush do të jetë qeverisja e re, kush do të jetë kryeministri, kush do të marrë pushtetin por në një terren politik të tharë, shterpë, me figura të konsumuara nga humbjet, me paaftësi artikulimi e vizioni, ose më keq akoma, me sharlatanë populistë që presin ta mbushin boshllëkun.

Në gjykimin tim, ky vakum politik është i rrezikshëm nëse mbushet vetëm me njerëzit që vijnë pas atyre që ikin, si forcë e inercisë, sepse në fushë s’ka lojtarë të tjerë.

Nuk më mundon kush do ta mundë Edi Ramën … atë do e rrëzojë vetja: Skandalet e tij të zhvatjes së pasurive kombëtare, qytetaria që e neverit modelin e tij, raportin e tij anadollak me institucionet, me drejtësinë, me administratën, tërësinë e tij si politikan tipik ballkanik despotik.

Por ajo që më mundon është çfarë modeli do të vijë pas Edi Ramës. Ose më saktë, çfarë modeli do të zgjedhim ne pas Ramës.

Shqipërisë nuk i duhet thjesht një parti anti-socialiste

Shqipërisë nuk i duhet thjesht një parti që të rrëzojë socialistët në zgjedhje. Madje as thjesht një PD e pastruar nga skeletet në dollap të së kaluarës. As një parti e re që ndryshon emrin, fytyrat dhe sloganet, por jo mënyrën se si mendon politikën.

Shqipërisë i duhet një parti e djathtë me një doktrinë të plotë.

Jo domosdoshmërisht e re në kuptimin kalendarik të krijimit. PD-ja mbetet, në optikën time, subjekti me potencialin më të madh për ta marrë këtë rol, nëse arrin të evoluojë. Por duhet të bëhet diçka tjetër nga çfarë është sot, dhe diçka tjetër edhe nga çfarë artikulon e aspiron se dëshiron të bëhet diçka krejt tjetër…Duhet të ketë një koncept tjetër për Kombin, Shtetin, Individin dhe vendin e Shqipërisë në botë.

Kjo është teza ime që dua ta elaboroj në këtë shkrim, e formuluar sa më radikalisht:

Shqipërisë i duhet një parti që të funksionojë si një “komb i vogël” brenda shtetit. Jo në kuptimin territorial dhe as në kuptimin se pretendon të përfaqësojë gjithë kombin. Por në kuptimin e një komuniteti politik të bashkuar nga një ide e përbashkët mbi mënyrën se si duhet të jetojë shoqëria.

Një parti e tillë nuk do të ishte thjesht makineri elektorale, do të ishte një komunitet doktrinar. Dhe për ta kuptuar këtë, duhet të ndalem pak te vetë koncepti i identitetit.

Kombi nuk është e vetmja “kuti” e identitetit

A janë kombet bashkësi natyrore, apo janë konstruksione njerëzore që me kalimin e kohës bëhen realitete të fuqishme?

Në gjykimin tim, kombi është një konstruksion social i një projekti historik e politik. Por kjo nuk do të thotë aspak se është i rremë.

Imagjinar në origjinë, por real në pasojat e tij.

Në gjykimin tim, kombi është një konstruksion social i një projekti thellësisht politik, por me këtë nuk dua të them aspak se është i rremë. Imagjinar, por real: ky është paradoksi.

Ai ndërtohet mbi materiale reale: Gjuhë, histori, kujtesë, kulturë, territor, mite themeluese, përvoja të përbashkëta dhe institucione. Me dekada shkollimi, kulturë dhe histori të përbashkët, një projekt politik si kombi arrin të shndërrohet në një realitet të fuqishëm psikologjik e kulturor.

Shteti, nga ana tjetër, është një entitet juridik-politik: territor, institucione, ligje dhe sovranitet.

Por këtu qëndron gabimi i madh i politikës sonë. Ne sillemi sikur kombi dhe shteti janë të vetmet kuti në të cilat mund të mendojmë politikën.

Nuk janë!

Identiteti njerëzor është shumë më kompleks.

Një njeri mund të jetë njëkohësisht individ, pjesëtar i një familjeje, nga një qytet apo krahinë, shqiptar, mysliman ose katolik/ortodoks, bektashi ose madje edhe ateist… mund të jetë konservator ose liberal , europian, perëndimor dhe, përtej të gjitha këtyre, thjesht njeri.

Këto identitete nuk konkurrojnë domosdoshmërisht me njëri-tjetrin. Ato mbivendosen.

Një shqiptar mund të jetë njëkohësisht shqiptar në kombësi, mysliman në fe, konservator në bindje politike dhe perëndimor në identitet qytetërues.

Nuk ka asnjë kontradiktë këtu.

Përkundrazi, problemi fillon kur njëri prej këtyre identiteteve, pretendon të jetë e gjithë qenia e njeriut.

Kombi na tregon nga vijmë. Identiteti politik tregon çfarë zgjedhim!

Një shqiptar nga Konispoli dhe një shqiptar nga Vermoshi janë pjesë e të njëjtit komb. Por kjo nuk do të thotë se kanë domosdoshmërisht të njëjtën mënyrë jetese, të njëjtën marrëdhënie me fenë, të njëjtin botëkuptim apo të njëjtin vizion politik.

Ky është thelbi që opozita e re duhet ta përqafojë: Identiteti politik mund të kalojë kufijtë kombëtarë shumë më lehtë se identiteti kombëtar.

Një konservator shqiptar mund të ketë më shumë afërsi politike me një konservator amerikan, sesa me një socialist shqiptar. Një liberal shqiptar mund të ketë më shumë të përbashkëta me një liberal gjerman sesa me një shqiptar që beson te autoritarizmi.

Mbi këtë botëkuptim të ri, opozita duhet të jetë në kontrast të madh me PS-në. Dhe për ta bërë këtë kontrast, ka një pyetje që ajo duhet t’ia bëjë vetes: A është “kombi” niveli optimal i identitetit politik, apo është thjesht një nga shtresat e identitetit tonë?

Unë besoj se është kjo e dyta.

Dhe këtu duhet të rindërtohet e djathta shqiptare, përtej kombit, por drejt vlerave politike dhe individuale të qytetërimit perëndimor: Shtet i limituar, individ me liri të mëdha!

Dhe kjo nuk është një tezë që unë dua të shkruaj kundër kombit, e kundërta. Kombi duhet të jetë rrënja, por nuk duhet të jetë tavani.

Një parti shqiptare nuk ka pse ta ndërtojë doktrinën e saj vetëm mbi “shqiptarinë”. Ajo mund të jetë shqiptare në mision, por perëndimore në doktrinë.

Kjo është oferta e re që i nevojitet shoqërisë shqiptare: Një parti me bosht ideologjik vetë qytetërimin perëndimor, sistemin liberal perëndimor.

Dhe kjo është shumë më e thellë se populizmi vulgar i partive që thonë “jemi pro-Europës” ose bëjnë një garë të shëmtuar se kush lufton më shumë për anëtarësimin e vendit në BE. Duhet një qasje më moderne, më e thellë.

Nga kombi te qytetërimi që duam t’i përkasim

Historia njerëzore ka kaluar nëpër forma të ndryshme organizimi: Nga shpellat në tribu, nga familja e fisi te komuniteti, qyteti, mbretëria dhe më pas shteti-komb. Shteti-komb është një nga format më të fuqishme të organizimit politik të epokës moderne, por kjo nuk do të thotë se është domosdoshmërisht niveli i fundit i identitetit politik.

Opozita ka nevojë të kuptojë që sot bota, po evoluon në diçka tjetër: Identitete dhe aleanca që shtrihen përtej kufijve kombëtarë, të ndërtuara mbi vlera, institucione, interesa dhe modele të përbashkëta politike.

Bota po bëhet gjithnjë e më e qartë në një pikë: Kristalizimi i dy qytetërimeve, Perëndimit dhe Lindjes — jo në kuptim gjeografik.

Kjo nuk do të thotë se shtetet po zhduken, kurrësesi se kombet po zhduken. Do të thotë se mbi shtetin dhe përtej kombit po merr rëndësi një nivel tjetër: Qytetërimi ose Civilizimi.

Kombi na tregon nga kemi ardhur, dhe shteti na tregon si jemi organizuar. Por është qytetërimi që na pyet se çfarë duam të bëhemi si individë të lirë dhe si shoqëri.

Dhe këtu qëndron zgjedhja që duhet të ndërmarrë Shqipëria, dhe alternativa e re që e djathta shqiptare duhet t’ia ofrojë asaj.

Kur them “Perëndimi”, nuk i referohem vetëm hartës. Perëndimi është një familje politike, institucionale dhe kulturore.

SHBA-ja, Europa, Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja, Australia dhe demokraci të tjera perëndimore janë të ndryshme nga njëra-tjetra, por ndajnë një bërthamë parimesh: Shtetin ligjor, por të tepër të limituar, ndarjen e pushteteve, pronën private, ekonominë e tregut, demokracinë, pluralizmin, lirinë individuale, shkencën, sipërmarrjen dhe lirinë fetare por me një identitet të qartë, jo kaosin e globalizimit.

Prandaj një parti shqiptare, një opozitë e re, mund të jetë njëkohësisht edhe shqiptare edhe thellësisht perëndimore. Madje kjo duhet të jetë pikërisht zgjedhja e sa, e të djathtës Shqiptare post proteste.

Sot nuk jetojmë në një botë ku të gjitha modelet politike po konvergojnë drejt të njëjtit sistem. Përkundrazi, jemi në atë që mund të quhet “lufta e tretë botërore” …një luftë mes qytetërimesh.

Po shohim një konkurim gjithnjë e më të ashpër midis demokracive perëndimore dhe një grupi fuqish autoritare, revizioniste dhe projektesh politike që, në forma të ndryshme, sfidojnë rendin perëndimor.

Këto shtete mbase nuk përbëjnë një bllok homogjen në formën e tyre, por janë pothuajse monolite në aleancën e tyre kundër Amerikës dhe Perëndimit. Shqipëria, sado e vogël, duhet të pozicionohet qartë, sepse Perëndimi ka përballë një botë lindore mjaft të egër dhe agresive ndaj tij.

Rusia ka projektin e saj revizionist dhe territorial, për të rikthyer kufijtë e Bashkimit Sovjetik. Kina ka një model komunist autoritar dhe një rivalitet sistemik me Perëndimin, veçanërisht me Amerikën. Irani përfaqëson një model teokratik ku ekstremizmi islamik ndërthuret me autokracinë. Islamizmi politik përbën një sfidë tjetër ndaj modelit liberal-perëndimor, me shtetet të Gjirit që financojnë, ideologjikisht dhe ekonomikisht, çdo luftë hibride ndaj Perëndimit.

Turqia e Erdoganit është një rast më kompleks: Pjesë e NATO-s, por njëkohësisht me një politikë të jashtme identitare ku trashëgimia osmane dhe islami politik kanë marrë rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Turqia po investon fort në Shqipëri dhe po tenton, me një farë suksesi, të instrumentalizojë lidhjen fetare të besimtarëve në një narrativë antiperëndimore. Këto duhen thëmë, me kurajo intelektuale por duhen thënë se si Islami Politik i sponsorizuar nga Turqia Erdoganiste po prezantohet zhurmshëm në Protestën e Qytetarëve Shqiptarë, në mediat shqiptare dhe pdo hapësirë publike!

Kjo nuk është një botë e ndarë në dy kuti perfekte, por është një botë ku zgjedhja e modelit politik dhe qytetërues po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.

Shqipëria nuk mund të jetë indiferente ndaj saj, dhe pararoja e kësaj zgjedhjeje duhet të jetë e djathta shqiptare.

Tre zgjedhjet që duhet të ofrojë e djathta shqiptare

Pikërisht këtu, sipas meje, duhet të fillojë doktrina e së djathtës së re shqiptare. Jo një slogan, jo programi i radhës me qindra faqe pa substancë, por tre zgjedhje themelore që në fund kanë një përfundim të përbashkët: qytetërimin perëndimor.

1Zgjedhja ekonomike: Tregu përballë klientelizmit

Problemi i Shqipërisë nuk është vetëm korrupsioni madje korrupsioni është më pak problem se vetë modeli i krijimit të pasurisë që vendi ka ndjekur prej dekadash.

Paketa e Maleve dhe statusi i Investitorit Strategjik janë modus operandi i Edi Ramës: tokën e vendit e përdor për një grup të limituar klientësh, “vezirët” e rinj të oborrit të tij, ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë duhet të punësohet te ta, ose të emigrojë.

Kur qeveria vendos se kujt i jepet toka, kujt i jepet leja, kujt i jepet koncesioni dhe kush shpallet “investitor strategjik”, krijohet një sistem i falimentuar ekonomikisht dhe rezultati është Shqipëria si vendi më i varfër në Europë, me disa oligarkë tepër të pasur të Sulltan Edi Ramës.

Kjo është e kundërta e asaj që duhet të jetë një e djathtë moderne: shteti nuk duhet të krijojë “vezirë” të rinj apo oligarkë, por rregullat që u japin qytetarëve mundësinë të pasurohen vetë siç ndodh në vendet perëndimore ku aq shumë shqiptarë emigrojnë dhe përparojnë.

Prona, (jo si te paketa e maleve), konkurrenca (jo si te ligji për investitorët strategjikë), merita, inovacioni dhe siguria juridike; këto janë shtyllat e një ekonomie që krijon pasuri nga poshtë-lart, jo nga pushteti drejt klientëve të tij.

Një e djathtë e re nuk duhet të premtojë thjesht “luftë kundër korrupsionit”, por duhet të ndryshojë vetë arkitekturën që e bën klientelizmin ekonomik të mundur.

2Zgjedhja institucionale: ndarja e pushteteve përballë pushtetit të përqendruar

Këtu duhet të jemi të drejtë me historinë. Berisha nuk është Rama, dhe Rama nuk është Berisha. Berisha është pjesë e historisë së rrëzimit të komunizmit me gjithë dritë hijet e tij si sekrerar rinie, e pluralizmit politik me gjithë gabimet e tij, por dhe e orientimit të Shqipërisë drejt NATO-s.

Por një parti e së ardhmes  nuk mund të mjaftohet me historinë. Sali Berisha sot është hapur në konflikt me drejtësinë, me SPAK-un dhe GJKKO-n; përtej retorikave justifikuese, ai lufton për trashëgiminë e tij politike dhe ekonomike, dhe drejtësia e re është armiku kryesore për të.

Problemi që duhet zgjidhur është më i thellë se problemi i një individi: Përqendrimi i pushtetit dhe erozioni i ndarjes së pushteteve.

Edi Rama, njësoj si në modelin ekonomik, e ka bërë të njëjtën zgjedhje edhe këtu, modelin lindor, autoritar, ndërhyrës ndaj drejtësisë.

Fati i vendit është që SHBA-ja dhe BE-ja nuk e lejojnë ta çojë deri në fund këtë prirje. Prandaj një e djathtë e re duhet të bëjë një premtim më të madh se “qeverisje më e mirë”:

Pro Drejtësisë, Ndarje pushtetesh, drejtësi e pavarur, administratë profesionale apartiake, media e lirë, institucione që nuk ndryshojnë identitet sa herë ndryshon qeveria. Ky është dallimi themelor mes një shteti që i përket qytetarëve dhe një shteti që i përket fituesit të radhës. Mes Suedisë dhe Omanit, mes Francës dhe Arabisë Saudite, mes Austrisë dhe Katarit!

Një e djathtë moderne nuk duhet vetëm të marrë pushtetin, por duhet të ketë guximin ta kufizojë pushtetin që merr.

3Zgjedhja qytetëruese: Perëndimi përballë komunizmit/autoritarizmit dhe islamizmit politik

Këtu arrijmë te beteja më e vështirë për t’u artikuluar hapur në publik edhe për mua. Por një parti politike nuk mund të flasë për Perëndimin pa folur edhe për kulturën, fenë dhe identitetin.

Shqipëria ka një pasuri që duhet ta mbrojë me çdo kusht: harmoninë fetare. Myslimani, katoliku, ortodoksi, bektashiu, ateisti janë të gjithë qytetarë të barabartë. Kjo është një nga arritjet më të çmuara të historisë shqiptare.

Por në kontekstin aktual, islamizmi politik është në antagonizëm me Perëndimin, dhe kjo duhet pranuar me objektivitet.

Megjithatë, një e djathtë perëndimore nuk duhet ta ngatërrojë fenë islame me ideologjinë “islam politik”. Përkundrazi, e djathta shqiptare duhet të mbrojë lirinë e myslimanit shqiptar për të qenë mysliman por duke bërë një dallim themelor:

Islami si Fe nuk është islamizëm politik.Një gjë është feja, tjetër gjë ideologjia që e përdor fenë si instrument pushteti. Një mysliman shqiptar nuk ka pse të zgjedhë midis Islamit dhe Perëndimit. Ai mund të jetë mysliman në fe, shqiptar në kombësi dhe perëndimor në identitet politik. Nuk ka asnjë kontradiktë këtu , kështu kanë qenë figura të ndritura të historisë sonë, si Mithat Frashëri, Ismail Qemali e shumë të tjerë. Madje kjo mund të jetë një nga format më moderne të identitetit shqiptar.

Problemi fillon kur feja bëhet projekt politik.

Shqipëria duhet të ketë kurajën të flasë hapur për ndikimet e jashtme, mbi të gjitha të Turqisë së Erdoganit … mbi identitetin fetar të shqiptarëve, pa rënë në gabimin e barazimit të fesë me politikën.

Nuk është problem që një shqiptar të jetë mysliman, as që të ketë lidhje kulturore me Turqinë apo botën arabe. Problemi fillon kur ky identitet shndërrohet në projekt politik të organizuar dhe më pas në instrument të një axhende gjeopolitike të huaj.

E djathta e re ka detyrë ta bëjë të qartë për qytetarët  se islamizmi politik është diçka tjetër nga Islami si fe. Dhe Shqipëria duhet të vendosë çfarë dëshiron: Një Islam që jeton i lirë brenda një shteti laik, demokratik dhe perëndimor, apo një fe që gradualisht shndërrohet në identitet politik dhe instrument të një projekti më të gjerë?

Perëndimi nuk është fe, por është një rend politik dhe qytetërues, ku njeriu ka të drejtë të besojë siç dëshiron. Prandaj Islami nuk ka pse të jetë armik i Perëndimit; islamizmi politik, po.

Shqipëria është dhe duhet të mbetet shtet laik.

Tre shtyllat së bashku

Kjo është e djathta që Shqipëria ende nuk e ka provuar: Jo thjesht anti-socialiste, jo thjesht liberalizëm ekonomik, jo thjesht konservatorizëm kulturor, por një e djathtë që i bashkon të tria:

-Ekonomikisht, Institucionalisht dhe Qytetërisht cibilizimin Perëndimor!

Kjo është ajo që do ta dallonte një të djathtë të re nga një tjetër rotacion i zakonshëm në pushtet.

PD-ja ka ende avantazhin më të madh për ta mishëruar këtë projekt. Ka historinë, organizimin, elektoratin, lidhjen historike me rrëzimin e komunizmit dhe orientimin euro-atlantik. Por kjo nuk mjafton.

PD-ja nuk mund të rikthehet në pushtet vetëm duke kërkuar që shqiptarët të harrojnë gabimet e saj, apo duke ofruar përsëri Sali Berishën në betejë të hapur me drejtësinë dhe me Perëndimin.

Duhet t’u japë shqiptarëve një arsye të re për ta votuar. Duhet të luftojë për të ndryshuar mënyrën se si krijohet pasuria, mënyrën se si kufizohet pushteti, dhe mënyrën se si Shqipëria e kupton vendin e saj në botë.

Në fund, zgjedhjet e ardhshme, nuk duhet të jenë vetëm një referendum mbi Edi Ramën. Opozita e ardhshme duhet të jetë shumë më tepër se një koalicion elektoral. Duhet të jetë një projekt politik që e vendos Shqipërinë përfundimisht në Perëndim.